Gjykata e BE-së lë në fuqi rregullat e rrepta ndaj “Messenger”, “Meta” humbet apelin

featured
Press Online
03 Qershor 2026, 14:01

LUKSEMBURG, 3 qershor /ATSH-DPA/- “Meta” ka humbur apelin kundër vendimit të Bashkimit Evropian, për të vendosur rregulla të rrepta ndaj aplikacionit të saj të mesazheve “Messenger”.

Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian në Luksemburg konfirmoi sot vendimin e Komisionit Evropian, për të klasifikuar “Messenger” si një “gatekeeper” sipas Aktit për Tregjet Digjitale.

Në të njëjtën kohë, gjykata anuloi një vendim të mëparshëm të revokuar, që kishte të bënte me shërbimin e blerjeve “Marketplace”.

Komisioni Evropian përcaktoi në vitin 2023, se “Messenger” dhe “Marketplace” përmbushnin kriteret për t’u konsideruar “gatekeepers” – platforma të mëdha që shërbejnë si porta kryesore për bizneset që të arrijnë konsumatorët në tregjet digjitale.

Ky status i vendos kompanive, detyrime të veçanta, për të garantuar konkurrencë më të drejtë në tregun digjital.

Në vitin 2025, Komisioni Evropian anuloi vendimin për përcaktimin për “Marketplace”, pasi nuk ishte arritur pragu i kërkuar i përdoruesve komercialë.

Gjykata vendosi se ky anulim ishte i pavlefshëm, duke argumentuar se vlerësimi i të dhënave nga Komisioni ishte i pasaktë dhe arsyetimi i tij ishte “hipotetik dhe i paplotë”.

Përsa i përket “Messenger-it”, gjykata mbështeti Komisionin Evropian, dhe la në fuqi përcaktimin si “gatekeeper”.

Si “Meta” ashtu edhe Komisioni Evropian mund ta apelojnë vendimin në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, instanca më e lartë gjyqësore e BE-së.

Përveç “Messenger-it”, disa shërbime të tjera të “Meta-s” janë aktualisht të klasifikuara si “gatekeepers”, përfshirë “Facebook”, “Instagram”, “WhatsApp” dhe “Meta Ads”.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter