Vizita e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Shkup sjell një mesazh të drejtpërdrejtë dhe të qartë, por që sipas analistëve, pushteti aktual po përpiqet ta fshehë.
Siç shkruan Andrej Zhernovski në statusin e tij në Facebook, mesazhi është i thjeshtë: “Ajo që është dakorduar duhet të realizohet. Jo sepse dikush në Bruksel dëshiron ta poshtërojë Maqedoninë, por sepse kështu funksionon çdo shtet serioz dhe çdo bashkësi serioze ndërkombëtare.”
Zhernovski shton se në realitet, Qeveria e Hristijan Mickoskit vazhdimisht manipulon opinionin publik, duke pretenduar se problemi me eurointegrimet nuk qëndron te reformat apo ngecja e procesit, por te të tjerët: “Në Bruksel. Në Bashkimin Evropian. Te LSDM-ja. Te të gjithë, përveç atyre që sot e udhëheqin shtetin.”
Costa, siç thekson Zhernovski, edhe një herë e ka nënvizuar nevojën për përmbushjen e obligimeve të dakorduara, vazhdimin e reformave dhe miratimin e ndryshimeve kushtetuese: “Ky është një paralajmërim se askush nuk do ta kryejë detyrën tonë në vendin tonë, por edhe një mundësi, sepse Bashkimi Evropian ende e mban derën e hapur.”
Zhernovski përfundon se Qeveria e Maqedonisë, në vend që të fokusohet në rezultate konkrete dhe reforma, i kushtohet fushatave të PR-it dhe arsyetimeve, ndërsa vendet e tjera të rajonit, si Mali i Zi dhe Shqipëria, po përparojnë me ritme të shpejta drejt anëtarësimit në BE.
“Historia nuk do t’i kujtojë ata që shpiknin justifikime, por ata që merrnin vendime,” porosit Zhernovski.



