Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, zbriti në fushë para ndeshjes për të ndjekur nga afër nxehjen e skuadrës. Bashkë me të ishte edhe kapiteni i pezulluar, Albano Aleksi. Tandilashvili ishte i pari që u drejtua drejt dhomave të zhveshjes pas nxehjes. Të njëjtën gjë bëri më pas edhe Teqja te Dinamo. Në tribunë ra në sy prania e sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Armando Broja, me shumë tifozë që kërkuan të bënin foto me të. Ende pa nisur ndeshja, forcat speciale të policisë krijuan një kordon sigurie në tribunën VIP.
Në stadium kishte tifozë të Egnatias dhe të Elbasanit. Tifozët verdheblu zgjodhën të bënin tifo për Dinamon. Xhemajli u përplas me Berishën pas kërkesës së këtij të fundit për penallti, duke e tërhequr nga bluza teksa rrinte i shtrirë në tokë.
Me hyrjen në fushë të Fangajt në pjesën e dytë, ai mori edhe shiritin e kapitenit, pasi në pjesën e parë e mbante Xhemajli. Tifozët e Elbasanit patën përplasje verbale me Nevil Deden, ish-idhullin e tyre.
Në një moment të pjesës së dytë, Xhaja i kërkoi Poçit të mos reagonte ndaj ofendimeve që vinin nga tribuna. Në fund të ndeshjes, lojtarët e Egnatias ngritën në ajër trajnerin Nevil Dede. Pas përfundimit të festimeve trofeun e mori presidenti Agim Demrozi, i cili më pas u largua nga stadiumi duke mbajtur kupën në duar.




