Italia i mbyll derën Kanye West-it dhe Travis Scott-it? Anulohen koncertet?

featured
Press Online
31 Maj 2026, 23:51

Autoritetet italiane kanë vendosur të ndalojnë dy nga koncertet më të përfolura të kësaj vere, ato të Kanye West dhe Travis Scott, të planifikuara në qytetin italian të Reggio Emilia.

Kanye West ishte parashikuar të ngjitej në skenën e festivalit Hellwat Festival më 18 korrik në RCF Arena, një arenë me kapacitet mbi 100 mijë spektatorë, që do të ishte një nga koncertet më të mëdha të karrierës së tij.

Një ditë më parë, më 17 korrik, në të njëjtin vend ishte planifikuar të performonte edhe Travis Scott.

Vendimi për anulimin e të dy eventeve u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Reggio Emilias, Salvatore Angieri, i cili argumentoi se autoritetet kishin shqetësime serioze për sigurinë.

Sipas tij, ndikim në vendim kanë pasur edhe reagimet e komunitetit hebraik lokal, organizatave antifashiste, sindikatave dhe politikanëve që kishin kërkuar anulimin e koncertit të Kanye West për shkak të deklaratave të tij antisemite në vitet e fundit.

Megjithatë, bashkia theksoi se vendimi nuk lidhej vetëm me këtë çështje. Një faktor i rëndësishëm ishte edhe fluksi i pritshëm i mbi dhjetëra mijëra vizitorëve brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, pasi dy koncertet do të zhvilloheshin brenda 24 orëve.

Autoritetet vlerësuan gjithashtu rrezikun e protestave dhe vështirësitë logjistike që mund të krijoheshin në qytet.

Një tjetër element që ka ngritur shqetësime është edhe historia e koncertit tragjik Astroworld Festival 2021, ku gjatë performancës së Travis Scott humbën jetën 10 persona si pasojë e kaosit në turmë.

Ndërkohë, organizatorët e festivalit kanë bërë të ditur se po punojnë për të gjetur një vend alternativ në Itali për koncertin e Kanye West më 18 korrik, por jashtë juridiksionit të Reggio Emilias.

Pavarësisht polemikave, reperi amerikan ka vazhduar turneun e tij veror dhe fundjavën e nisi me një koncert të madh në Atatürk Olympic Stadium në Istanbul, ku u paraqit para mijëra fansave.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter