Gashi: LDK-ja synon ta udhëheqë vendin pas zgjedhjeve të 7 qershorit

featured
Press Online
31 Maj 2026, 17:44

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se partia e tij synon të dalë e para në zgjedhjet e 7 qershorit dhe të marrë përgjegjësinë për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Në emisionin “Intervista Zgjedhore”, në KosovaPress, Gashi tha se LDK-ja ka ambicie të qartë për të udhëhequr vendin, duke theksuar se çdo rezultat tjetër përveç pozitës së pare, do të ishte vetëm një sukses relativ.

“LDK-ja si parti shtetformuese, si partia e parë në Evropën Juglindore, si partia e parë demokratike në rajon dhe më gjerë, çdogjë përveç pozitës së parë është sukses relativ. Pra, Lidhja Demokratike e ka ambicien dhe duhet ta ketë ambicien të jetë partia e parë. Çdo ambicie tjetër, më pak se të jetë partia e parë, është ambicie e cunguar dhe nuk përfaqëson idenë dhe idealin e votuesit dhe qytetarëve të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës… Po u bëj thirrje në vazhdimësi qytetarëve të Kosovës: dilni dhe zgjidhni! Zgjidhni! Sepse zgjedhja juaj e përcakton se ku do të shkojë vendi. Zgjidhni cila është alternativa që mendoni që është më e mira, dhe zgjidhni me bindje njerëzit brenda alternativës, edhe në Vetëvendosje, edhe në LDK, edhe në PDK, edhe në AAK, në të gjitha partitë. Zgjidhni njerëzit që mendoni se duhet të jenë në Kuvend që të përfaqësojnë zërin tuaj. Jo të votoni me stihi, me histeri… ato janë joproduktive. Ajo mënyrë e të vepruarit çon në bllokada. Sepse nuk je duke votuar për ide, por për një inercion. Inercioni i konfliktit, inercioni i përçarjes, inercioni i ndarjes, dhe ky votim për inercion pastaj çon në bllokada”, tha ai.

Sipas tij, programi i LDK-së bazohet në zhvillimin ekonomik, ekonominë e tregut të lirë dhe investimin e parasë publike në projekte që nxisin rritjen ekonomike.

Ai tha se LDK-ja synon të krijojë kushte për rritje ekonomike përmes investimeve që gjenerojnë zhvillim afatgjatë dhe rrisin mundësitë për bizneset dhe qytetarët.

Ndërkaq, kritikoi qasjen e Qeverisë aktuale ndaj menaxhimit të ekonomisë, duke vlerësuar se fondet publike duhet të orientohen më shumë drejt investimeve zhvillimore sesa skemave sociale.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit pas zgjedhjeve, Gashi tha se në rast se LDK-ja udhëheq procesin e krijimit të institucioneve, partia tashmë e ka përcaktuar kandidatin e saj për këtë post. Megjithatë, ai theksoi se nuk do të insistojnë që Vjosa Osmani të bëhet presidente pas zgjedhjeve të 7 qershorit nëse kjo paraqet pengesë për arritjen e marrëveshjeve politike.

Sipas tij, nëse një kandidat është i papranueshëm për partnerët e koalicionit, LDK-ja duhet të tregojë konstruktivitet dhe të mos rrezikojë funksionimin e institucioneve për shkak të preferencave partiake.

Ai foli edhe për mundësinë e bashkëpunimeve politike pas zgjedhjeve, duke thënë se nuk i përket asnjë grupi që përjashton paraprakisht bashkëpunimin me partitë e tjera parlamentare.

Megjithatë, Gashi vlerësoi se pas gjashtë vitesh në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje duhet të kalojë në opozitë.“Tash ka njerëz që thonë s’dua të bashkëpunoj me PDK-në e AAK-në, ka njerëz që thonë s’duhet të bashkëpunoj me Vetëvendosjen, unë nuk jam në asnjërën prej këtyre kategorive. Unë nuk shquhem si një urrejtës paraprak i asnjërës prej skemave politike në Kosovë. Unë jam për bashkëpunim me këdo që është e mundur të bashkëpunohet, në bazë të programeve dhe të arsyeshmes në qeverisjen e LDK-së. Unë jam për ta bërë LDK-në parti të parë. Lëvizja Vetëvendosje pas 6 viteve në pushtet duhet të dalë në opozitë. Është më e shëndetshme edhe për demokracinë, edhe për Kosovën, por edhe për Vetëvendosjen. Pra, i duhet një rifillim i ri. Neve na duhet një klasë politike e cila mendon politikisht, në mënyrë pragmatike dhe në mënyrë praktike për zhvillimin e vendit. Nuk jam në kategorinë e njerëzve që mendojnë në mënyrë përjashtuese. Përkundrazi, konsideroj se politikës në Kosovë i duhet të kalojë fazën e fundit të konsolidimit të demokracisë, dhe i takon LDK-së me e marrë përgjegjësinë për ta mbyllur këtë proces, siç i ka mbyllur të gjitha proceset tjera”, potencoi ai.

Gashi tregoi edhe çka i kushtoi politikisht atij pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, 9 shkurtit, që pastaj në zgjedhjet e tjera të fundvitit nuk arriti të bëhet deputet.

Ai kritikoi lidershipin e partisë për mënyrën se si ishte pozicionuar në listën zgjedhore, duke thënë se kjo përbënte një distancim politik nga puna e tij si shef i Grupit Parlamentar.

Gashi e cilësoi këtë vendim si gabim politik, duke vlerësuar se pasoja nuk ka pasur vetëm për të personalisht, por edhe për vetë partinë.

Ai tregoi edhe nëse është bashkuar e djathta në LDK.

Teksti i plotë në sistemin me parapagim.

https://www.youtube.com/watch?v=Q38n1ylwUTs

 

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter