Publikohen pamje nga objekti në Obiliq që dyshohet se ofronte shërbime mjekësore pa licencë

featured
Press Online
31 Maj 2026, 14:19

Janë publikuar disa pamje nga brenda objektit në Obiliq, ku dyshohet se ofroheshin shërbime shëndetësore pa licencën përkatëse nga institucionet kompetente.

Ndersa, Policia e Kosovës ka iniciuar një rast për veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore” dhe “Prodhim dhe shpërndarje e produkteve të dëmshme mjekësore” në Obiliq, pasi dyshohet se në një nga dhomat e një objekti po ofroheshin shërbime mjekësore pa lejen përkatëse nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, lidhur me rastin janë njoftuar Inspektorati Farmaceutik dhe Inspektorati Shëndetësor, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet e nevojshme inspektuese.

Në prani të inspektorëve, objekti është vulosur dhe është vendosur masa e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë, pasi dyshohet se aty zhvillohej aktivitet mjekësor i paligjshëm.

Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.

Në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar dy persona, një burrë dhe një grua. Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit, ata janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.

 

Policia mbyll një objekt në Obiliq, dyshohet se ofroheshin shërbime mjekësore pa licencë

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter