Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Pajisja 250$ që po i detyron njerëzit të flenë pa telefon, alarmi inteligjent po bën namin!
Mirësevini në vitin 2026, ku beteja më e madhe e njeriut nuk është ekonomia, lufta apo klima. Është: “Mos e prek telefonin pas orës 12.” Dhe tani dikush ka shpikur një alarm inteligjent që po bëhet viral sepse po arrin një mrekulli moderne: po i detyron njerëzit të flenë pa telefon në krevat. Pajisja quhet Dreamie dhe kushton 250 dollarë. Pra po paguajmë… vetëm që të mos shohim reels me qen që flasin në 3 të natës.
Dreamie funksionon si një “trajner gjumi” për njerëzit që kanë marrëdhënie toksike me telefonin. Të vendos zhurma shiu, zjarri dhe madje podcaste që të flesh pa e kapur telefonin me atë gënjeshtrën klasike: “Vetëm 5 minuta.” Ato 5 minutat zgjasin sa një sezon Netflix-i.
Pajisja gjithashtu ka një funksion special për ata që zgjohen në mes të natës. Sepse të gjithë e kemi bërë atë gabimin fatal: zgjohemi në 4 të mëngjesit, hapim telefonin “vetëm për të parë orën”… dhe 40 minuta më vonë dëgjojmë zogjtë. Sipas statistikave, 87% e njerëzve flenë me telefonin në dhomë. Praktikisht telefoni është bërë objekti i fundit që shohim natën dhe i pari që prekim në mëngjes. Ka njerëz që nuk pinë ujë sapo zgjohen… por kontrollojnë Instagramin sikur janë menaxherë të NASA-s. Pra teknologjia miq më në fund po shpik pajisje për të na mbrojtur… nga vetë teknologjia.
Ferrari prezanton makinën elektrike, por interneti e masakron për…
Ferrari ka nxjerrë makinën e parë elektrike dhe…për mendimin tim dhe shumë të tjerëve, ngjan super kot. Makina quhet “Luce”, ka 1000 kuaj fuqi, kap 0-100 për afërisht 2.5 sekonda dhe kushton rreth 650 mijë dollarë. Pra teknikisht është bishë. Problemi? O vlla… duket sikur Ferrari dhe një maus bënë bashkë një fëmijë.
Kjo është hera e parë në histori që njerëzit po shohin një Ferrari dhe po thonë: “As kinezët s’duan ta kopjojnë këtë”
Interneti e ka masakruar komplet brandin. Madje ka njerëz që thonë se Jaguari tani duket shumë më elegant në krahasim me Luce. Ferrari e di shumë mirë që makina është polarizuese. Madje vetë kompania ka pranuar që donte reagime ekstreme. Dhe i mori. O sa shumë mori. Sepse Ferrari nuk është thjesht makinë. Ferrari është kompani makinash që shumë i vendosin si poster në mur. Është ajo makina që çdo mashkull e ka pasur wallpaper në një moment të jetës. Ky modeli i ri? Këtë ke frikë dhe ta kërkosh në Google. Prapa projektit është dhe Jony Ive, dizajneri legjendar i iPhone-it. Dhe sinqerisht makina duket tamam sikur Apple vendosi të prodhojë makinë premium për njerëz që pijnë ujë me klorofil. Brenda Luce është e lezetshme, lëkurë gjithandej, butona metalik dhe takometër fizik që adaptohet me ndryshimet në UI.
Pra në fund, nga jashtë duket shumë keq, brenda është bukur, dhe mendoj që ky do jetë Ferrari më i rrallë nga të gjithë, sepse me shumë gjasa s’do ta blejë asnjë person.
Ferrari po krijon ChatGPT-në e tifozëve të Formula 1, duke i moniturar 24/7 për…
Kemi hyrë në një epokë shumë të çuditshme… dikur njerëzit shkonin në stadium për të parë sportin. Sot sporti po përdor inteligjencën artificiale… për të të studiuar ty. Ferrari tani ka futur IBM-in në lojë që t’i kthejë fansat e Formula 1 në “superfans”. Pra jo më,thjesht tifozë që shohin garën dhe ikin. Jo. Tani aplikacioni i Ferrarit do të dijë çfarë postimesh të pëlqejnë, çilët pilotë ndjek, çfarë emocionesh ke dhe ndoshta shumë shpejt do të të pyesë: Pse nuk hape app-in sot?
IBM dhe Ferrari kanë rindërtuar komplet aplikacionin e tifozëve duke përdorur AI. Tani aplikacioni ka përmbledhje garash të shkruara nga inteligjenca artificiale, analiza, mini-lojëra, parashikime rezultatesh dhe madje një AI companion që i përgjigjet pyetjeve të fansave.
Pra praktikisht Ferrari po krijon ChatGPT-në e tifozëve të Formula 1. Ideja është që çdo tifoz të ndihet “special”. Dhe këtu fillon pak Black Mirror-i. Sepse AI shikon çfarë lexon, çfarë komenton dhe çfarë të emocionon më shumë. Shkurt fare: dikur makina analizonte pistën. Tani po të analizon ty.
Ferrari thotë se synimi është që fansat të mos futen në aplikacion vetëm gjatë garave, por gjatë gjithë vitit. Pra ata nuk duan më tifozë. Duan marrëdhënie afatgjatë emocionale. Pak a shumë si Netflix kur të pyet: “Are you still watching?” Po, o vlla, jam akoma këtu prej 4 episodesh, më lër rehat. Dhe mesa duket po funksionon. Angazhimi në aplikacion është rritur mbi 60% gjatë fundjavave të garave. Sidomos nga Gen Z si dhe femrat, që janë bërë pjesa më e madhe e fansave të rinj të Formula 1. Pra F1 nuk është më vetëm sport me makina të shpejta.
Elon Musk për vite të tëra foli për energji të pastër dhe shpëtimin e planetit… tani po djeg gaz natyror për të ushqyer inteligjencën artificiale!
Elon Musk është ai tipi që zgjohet në mëngjes dhe thotë: “Po sikur ta çojmë internetin në hapësirë, makinat në Mars dhe diellin… ta përdorim jo në Tokë, po jashtë saj?”
Tani duket se Musk ka hyrë në një fazë të re. Njeriu që për vite të tëra foli për energji të pastër, ekonomi elektrike dhe shpëtimin e planetit… tani po djeg gaz natyror për të ushqyer inteligjencën artificiale të kompanisë së tij xAI. Po, ai Elon Musk që na shiste të ardhmen “green”, tani po ndez turbina si central i viteve ’80 vetëm që chatbot-i të mos ngecë.
Dhe pjesa më absurde? Në dokumentet e reja të SpaceX, energjia diellore në Tokë pothuajse trajtohet si teknologji e vjetër. Fokusin tani e ka “solar power from space”. Pra Musk mendon seriozisht që në të ardhmen serverat e AI do të fluturojnë në orbitë dhe do të furnizohen direkt nga dielli në hapësirë.
Sigurisht, ideja tingëllon futuristike. Në hapësirë dielli ndriçon 24 orë, pa re, pa dimër, pa “u fikën dritat”. Problemi i vetëm? Kushton një pasuri. Sepse mesa duket është pak më shtrenjtë të çosh servera në orbitë sesa të vendosësh panele diellore në tokë. Shokuese, e di. Por ky është Elon Musk. Ky njeri sheh një problem normal dhe zgjedh zgjidhjen më të shtrenjtë të mundshme.
Apple zbulon datën e WWDC 2026, pritshmëri të mëdha për AI dhe iOS 27!
Apple ka caktuar datën e WWDC 2026 dhe tani gjithë interneti po sillen si tifozët e Champions-it para finales. Njerëzit nuk e dinë akoma çfarë do prezantohet… por kanë filluar tashmë videot: “10 arsye pse iOS 27 do ndryshojë jetën tënde.”
Jo vlla. Do ndryshojë ikonat dhe do të të harxhojë baterinë 14% më shumë. Më 8 qershor, Apple do të mbajë eventin e madh WWDC, ceremonia vjetore ku E madheelopers bëjnë sikur kuptojnë çdo term teknik, ndërsa njerëzit normalë presin vetëm një pyetje: “A do ndryshojë Siri apo prapë do më hapë Spotify kur i them të ndez dritat?”
Apple pritet të prezantojë iOS 27, macOS 27, watchOS 27 dhe gjithë familjen e sistemeve operative. Fokus kryesor këtë vit do jetë Apple Intelligence pra inteligjenca artificiale e Apple. Dhe këtu bëhet interesante. Sepse gjithë industria po bërtet: “AI DO NDRYSHOJË BOTËN!”
Ndërsa Apple po hyn në skenë me energjinë: “Po e bëjmë… por estetikisht.”Apple nuk hyn kurrë i pari në teknologji. Apple hyn i fundit, sheh gjithë kaosin dhe pastaj thotë:
“Ok tani ta bëjmë që të duket bukur.”Madje po qarkullojnë thashetheme për një “homeOS”, një sistem i ri për shtëpitë inteligjente. Pra shumë shpejt frigoriferi yt mund të ketë inteligjencë artificiale. Por pjesa më epike e WWDC është gjithmonë interneti. Sapo Apple të ndryshojë një buton 3 milimetra majtas, do dalin 8 milionë njerëz në Twitter: “Apple ka ndryshuar mënyrën si marrim frymë.”
Ndërkohë përdoruesit normalë vetëm duan një gjë: që telefoni të mos nxehet si sobë sapo hap kamerën. Pra përgatituni. Më 8 qershor fillon ajo kohë e vitit kur gjithë bota teknologjike analizon çdo slide të Apple-it sikur po deshifrojnë dokumente sekrete të Pentagonit.
https://www.youtube.com/watch?v=06-lgnZJiAs




