Vala e të nxehtit përfshin Evropën, Franca, Spanja dhe Britania në alarm

featured
Press Online
30 Maj 2026, 17:33

Shumë qytete në Evropë janë në alarm për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta që kanë përfshirë kontinentin që nga mesi i muajit maj. Vendet më të prekura nga kjo valë e nxehti janë Franca, Spanja, Portugalia, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në Mbretërinë e Bashkuar, vala e të nxehtit ka shkaktuar deri tani 11 viktima. Temperaturat kanë kaluar 30°C, diçka e rrallë edhe gjatë verës për këtë vend.

Në Londër, temperatura arriti në 35,1°C, duke thyer rekordin e muajit maj. Po ashtu, vendi po përjeton net tropikale, me temperatura që nuk zbresin nën 20°C, një fenomen shumë i pazakontë për këtë periudhë.

Edhe Franca është prekur nga temperaturat e larta. Deri tani janë raportuar shtatë viktima.

Temperaturat kanë arritur deri në 39°C në disa zona të vendit. Autoritetet kanë marrë masa të jashtëzakonshme për kufizimin e qarkullimit dhe mbrojtjen e popullsisë.

Veçanërisht e prekur është pjesa perëndimore e Francës dhe bregdeti i Atlantikut, ku zakonisht temperaturat janë më të freskëta për shkak të ndikimit të oqeanit.

Spanja po përballet me temperatura që zakonisht regjistrohen në korrik dhe gusht.

Në rajone si Andaluzia, Extremadura dhe Lugina e Ebrit, temperaturat luhaten nga 37°C deri në 40°C. Qytete si Sevilja, Kordoba, Jaen, Toledo dhe Zaragoza janë ndër më të goditurat.

Meteorologët kanë shënuar gjithashtu rekorde të reja temperaturash për muajin maj në disa zona të vendit.

Ministria italiane e Shëndetësisë ka shpallur alarm të kuq në Romë, Firence, Bolonjë dhe Torino.

Autoritetet paralajmërojnë se rreziku nuk prek vetëm të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore, por edhe njerëzit e shëndetshëm dhe aktivë. Temperaturat e larta pritet të zgjasin për disa ditë radhazi.

Portugalia ka regjistruar 40,3°C, temperaturën më të lartë të matur ndonjëherë në muajin maj. Rekordi i mëparshëm ishte 40°C dhe ishte regjistruar në vitin 2001.

Sipas shërbimit meteorologjik portugez, vala e të nxehtit ka nisur më 20 maj dhe ka shumë gjasa të vazhdojë edhe në ditët e para të qershorit.

Ekspertët paralajmërojnë se frekuenca dhe intensiteti i valëve të të nxehtit po rriten, duke ngritur shqetësime për ndikimin e ndryshimeve klimatike. Temperaturat e regjistruara këtë vit konsiderohen jashtëzakonisht të larta për muajin maj dhe po testojnë kapacitetet e venE madhee evropiane për t’u përballur me fenomene të tilla ekstreme.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter