Nxënësit në shkollat e Maqedonisë së Veriut kanë qasje shumë më të lehtë në ushqime dhe pije jo të shëndetshme sesa në alternativa të shëndetshme, tregon vlerësimi i parë kombëtar për mjedisin ushqimor në institucionet arsimore
Studimi që u realizua me mbështetjen e UNICEF-it, përfshiu 40 shkolla fillore dhe të mesme, si dhe rreth 1.700 nxënës nga pjesë të ndryshme të vendit, përcjell PressOnline.al.
Rezultatet tregojnë se në të gjitha shkollat ku shiten produkte ushqimore, dominon oferta e ushqimeve me vlera të ulëta ushqyese. Po ashtu, në afërsi të shkollave mbizotërojnë reklamat dhe shitja e pijeve të ëmbëlsuara, snacks-eve dhe produkteve ultra të përpunuara.
Megjithatë, hulumtimi zbulon se vetë nxënësit janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme. Mbi 80 për qind e tyre mbështesin futjen e vakteve më të shëndetshme në shkolla, ndërsa shumica besojnë se kufizimi i ushqimeve jo të shëndetshme do t’i nxiste të bëjnë zgjedhje më të mira.
Raporti rekomandon forcimin e standardeve për ushqimin në shkolla, kufizimin e shitjes së produkteve me përmbajtje të lartë sheqeri, kripe dhe yndyrash, si dhe vendosjen e rregullave më të rrepta për reklamimin e ushqimeve jo të shëndetshme pranë institucioneve arsimore.
Ekspertët vlerësojnë se krijimi i një mjedisi më të shëndetshëm ushqimor në shkolla është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e shëndetit dhe zakoneve ushqimore të fëmijëve dhe të rinjve. (PressOnline.al)


