Napoli është shumë pranë zgjedhjes së trajnerit të ri pas largimit të Antonio Contes, ndërsa gara për pankinën e kampionëve të Italisë duket se po shkon drejt një finaleje dramatike mes Massimiliano Allegrit dhe Vincenzo Italianos.
Në ditët e fundit, Italiano ishte konsideruar favorit absolut për të marrë drejtimin e skuadrës napolitane, sidomos pas kontakteve intensive mes presidentit Aurelio De Laurentiis dhe rrethit të trajnerit të Bologna-s. Megjithatë, situata ka ndryshuar sërish dhe Allegri ka rikthyer avantazhin në sprintin final.
Sipas mediave italiane, Napoli po negocion intensivisht me ish-trajnerin e Juventusit dhe Milanit për një marrëveshje dyvjeçare me opsion rinovimi. De Laurentiis synon të mbyllë gjithçka përpara nisjes së tij drejt Shteteve të Bashkuara javën e ardhshme.
Raportohet se presidenti i Napolit nuk e ka humbur asnjëherë nga vëmendja Allegrin, të cilin e konsideron profilin ideal për shkak të eksperiencës së tij në Serie A dhe në kompeticionet europiane. Palët thuhet se kanë diskutuar një kontratë deri në vitin 2028 me një pagë prej rreth 5 milionë eurosh në sezon.
Nga ana tjetër, Vincenzo Italiano ka zyrtarizuar sot ndarjen me Bologna-n. Klubi emilian njoftoi ndërprerjen me mirëkuptim të kontratës me trajnerin, duke i dhënë fund bashkëpunimit dyvjeçar që kulmoi me fitimin e Kupës së Italisë në vitin 2025.
Në deklaratën zyrtare, Bologna falënderoi Italianon për punën dhe sukseset e arritura, ndërsa trajneri kishte bërë të ditur se e konsideronte të mbyllur ciklin e tij te skuadra.
Pikërisht ky zhvillim kishte shtuar zërat për kalimin e tij te Napoli, por në orët e fundit Allegri duket se ka bërë lëvizjen vendimtare për të marrë drejtimin e “azzurrëve”.




