Një fotografi e vetme e Kate Moss vazhdon të konsiderohet si një nga imazhet më ikonike të botës së modës dhe showbiz-it, por pas saj fshihet një histori krejt ndryshe nga ajo që publiku besoi për vite me radhë.
Fotografi Greg Brennan ka rrëfyer së fundmi prapaskenat e fotos legjendare të realizuar në vitin 2007, ku modelja shihej e ulur në fund të një shkalle emergjence në Londër, e veshur me një pallto leshi dhe duke pirë cigare.

Sipas tij, ajo natë nuk kishte asgjë nga kaosi dhe “çmenduria” që tabloidët përshkruan më pas.
Lexova plot histori absurde. Se Kate u rrëzua nga shkallët, se ishte e dehur, se ishte ora 4 e mëngjesit… asgjë nga këto nuk ishte e vërtetë
-deklaroi fotografi për CNN.
Fotoja u realizua në ditëlindjen e 33-të të modeles, gjatë një feste në Londër ku Moss ishte shoqëruar nga ish-partneri i saj, muzikanti Pete Doherty.
Brennan tregoi se gjithçka ndodhi rastësisht, vetëm pak sekonda pasi ai vendosi të kontrollonte daljen e pasme të teatrit Donmar Warehouse.
Ajo ishte ulur në shkallë dhe po pinte duhan. Sapo e pashë, e kuptova që kisha vetëm disa sekonda për të reaguar
-kujtoi ai.
Fotografi realizoi rreth dhjetë shkrepje përpara se modelja të largohej fshehurazi nga dera e pasme, ndërsa një makinë tjetër ishte dërguar në hyrjen kryesore për të shpërqendruar paparacët.
Të nesërmen, imazhi pushtoi faqet e para të tabloiE madhee britanike dhe u përdor si simbol i jetës intensive të natës së supermodeles. Në atë periudhë, Kate Moss ishte një nga figurat më të komentuara të modës, ndërsa lidhja e saj me Doherty dhe skandalet e viteve të mëparshme e kishin kthyer në personazh të përditshëm të mediave rozë.
Megjithatë, vetë Brennan këmbëngul se fotoja u keqinterpretua nga publiku dhe mediat.
Kate ulur në një shkallë duke pirë cigare nuk shet gazeta. Prandaj krijuan gjithë atë histori
Fotografi zbuloi gjithashtu se, pavarësisht famës që mori ajo shkrepje, imazhi i tij i preferuar nga ajo natë nuk është fotografia ikonike e shkallëve, por një tjetër ku Moss shihet duke u ngritur dhe duke ecur drejt daljes.
Ka më shumë energjinë e një pasareleje. Mendoj se ajo foto është më artistike
-u shpreh ai.




