Qeveria ka refuzuar kërkesën e LSDM-së për organizimin e referendumit lidhur me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se nuk ka nevojë për një proces të tillë dhe se orientimi strategjik i shtetit drejt BE-së është i qartë, informon PressOnline.al.
Reagimi i ekzekutivit erdhi pasi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se çështja e së ardhmes evropiane të vendit nuk është politike, por çështje referendumi dhe duhet të vendoset drejtpërdrejt nga qytetarët.
“Ky është një vendim për të gjithë ne, për çdo qytetar dhe për të ardhmen e familjeve tona. Nuk mund të vendosë vetëm Hristijan Mickoski për fatin e shtetit. Bashkimi Evropian është sërish në fazë zgjerimi dhe ne nuk duhet ta humbim këtë mundësi”, deklaroi Filipçe.
Ai tha se përgjegjësia për procesin është te pushteti dhe shtoi se për formulimin e pyetjes së referendumit mund të diskutohet. Kjo kërkesë e opozitës vjen vetëm disa ditë pasi LSDM-ja bëri thirrje për unitet rreth ndryshimeve kushtetuese, me qëllim që përgjegjësia për këtë proces të ndahet mes të gjitha partive politike.
Megjithatë, nga Qeveria mbetën në qëndrimin e tyre të prerë kundër organizimit të referendumit.
“Të mos harxhojmë kohë dhe miliona nga paratë e qytetarëve. Ne jemi për BE-në dhe ky është orientimi ynë strategjik, të cilin po e dëshmojmë me vepra”, thanë nga Qeveria.
Nga “Ilindenska” nr.2 theksuan se vendimet e fundit të Bashkimit Evropian, përfshirë hapjen e fonE madhee nga Agjenda Reformuese për Maqedoninë, janë dëshmi e qartë për orientimin evropian të kësaj qeverie.
Në reagimin e tyre, autoritetet qeveritare rikujtuan edhe referendumin e vitit 2018, duke akuzuar LSDM-në se atëherë organizoi referendum pa garanci të qarta për të ardhmen evropiane të vendit.
“Ata edhe sot vazhdojnë të jenë indi më i dobët i identitetit maqedonas”, thuhet në reagimin e Qeverisë. (PressOnline.al)




