Grupi BTS bëri rikthimin e shumëpritur në skenën e American Music Awards 2026, duke u shfaqur së bashku për herë të parë në një ceremoni çmimesh pas katër vitesh. RM, Jin, Jimin, Jungkook, J-Hope, Suga dhe V dominuan mbrëmjen, duke fituar të tre çmimet për të cilat ishin nominuar.
Megjithatë, mes festës dhe triumfit të grupit, fansat vunë re diçka që ngriti menjëherë dyshime në rrjet: Jungkook dukej i tensionuar dhe i mërzitur gjatë disa momenteve të eventit.
Video të shumta të publikuara nga fansat në rrjetet sociale treguan artistin me një shprehje serioze, ndërsa në disa pamje ai dukej dukshëm i bezdisur teksa shikonte drejt turmës. Kaq mjaftoi që fandom-i ARMY të shpërthente me teori dhe spekulime online.
Sipas disa fansave, arsyeja e reagimit të Jungkook mund të ketë qenë prania e një personi të njohur mes komunitetit të fansave, i identifikuar si “Headliner”, i cili prej vitesh është akuzuar nga ARMY si një “sasaeng”, term koreano-jugor që përdoret për persona që ndjekin obsesivisht idhujt e K-pop-it dhe cenojnë privatësinë e tyre.
Komentet në rrjet rikujtuan incidente të mëparshme, duke pretenduar se personi në fjalë ka ndjekur vazhdimisht Jungkook-un që nga adoleshenca e tij dhe ka publikuar foto të paautorizuara ndër vite.
Ndërkohë, shumë fansa kërkuan masa më të forta sigurie për artistët e K-pop-it, duke theksuar se idhujt shpesh përballen me situata stresuese dhe ndjekje të vazhdueshme nga persona obsesivë.
Pavarësisht momentit që ngriti shqetësim, BTS pati një nga netët më të suksesshme të karrierës së tyre në AMA.
Grupi fitoi çmimin kryesor “Artisti i Vitit”, duke lënë pas emra si Taylor Swift, Bruno Mars, Bad Bunny dhe Lady Gaga.
Ata triumfuan gjithashtu me hitin “SWIM”, që fitoi çmimin “Kënga e Verës”, ndërsa BTS mori edhe trofeun për “Artistin më të Mirë Mashkull të K-Pop-it”, duke vulosur rikthimin e tyre spektakolar në skenën globale.




