Ushtria e Shteteve të Bashkuara tha se ka kryer sulmenë jug të Iranit më 25 maj, duke goditur vendndodhje për lëshimin e raketave dhe anije iraniane që dyshohet se do të vendosnin mina pranë rrugëve të rëndësishme detare.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se sulmet kishin për qëllim mbrojtjen e trupave amerikane nga ato që i cilësoi si “kërcënime nga forcat iraniane” gjatë një periudhe të tensionuar armëpushimi.
“Komanda Qendrore e SHBA-së vazhdon të mbrojë forcat tona, duke treguar përmbajtje gjatë armëpushimit”, tha zëdhënësi i CENTCOM-it, kapiteni i Marinës Tim Hawkins.
Sipas deklaratës, forcat amerikane goditën “vende për lëshimin e raketave dhe anije iraniane që po përpiqeshin të vendosnin mina” në jug të Iranit.
Sulmet duket se u përqendruan në zona pranë Ngushticës së Hormuzit, që ishte një nga rrugët ujore më strategjike në botë për transportin global të naftës, përpara luftës që nisi me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt.
Më herët, agjencitë iraniane të lajmeve raportuan shpërthime në dhe rreth qytetit jugor iranian, Bandar Abas.
Agjencia gjysmëzyrtare Mehr raportoi më vonë se situata është “plotësisht nën kontroll” dhe u bëri thirrje banorëve të mos shqetësohen.
Pas sulmeve, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke folur me gazetarët gjatë një vizite në Indi, mbrojti qëndrimin e SHBA-së, duke këmbëngulur se kjo rrugë jetike detare “duhet të jetë e hapur në një mënyrë ose tjetër”.
“Ajo që po ndodh atje, është e jashtëligjshme, është e paqëndrueshme për botën, është e papranueshme”, tha Rubio për veprimet e Iranit.
“Nuk ka asnjë vend në botë që mbështet një sistem tarifash, përveç regjimit në Iran. Kjo nuk është e pranueshme”, shtoi ai, duke iu referuar planeve të Teheranit për të vendosur tarifa për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Uashingtoni sinjalizon përmbajtje derisa vazhdojnë bisedimet
Veprimi ushtarak vjen pavarësisht kontakteve të vazhdueshme diplomatike midis Uashingtonit dhe Teheranit, të cilat synojnë t’i japin fund konfrontimit.
Rubio u tha gazetarëve se marrëveshja me Teheranin mbetet e mundshme dhe mund të arrihet së shpejti.
“Mendoj se ka shumë diskutime për formulimet specifike në dokumentin fillestar, kështu që do të duhen disa ditë”, tha ai.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi gjatë fundjavës se negociatorët po diskutojnë “detajet përfundimtare” të një marrëveshjeje të mundshme, ndërsa zyrtarët iranianë thanë se të dyja palët kanë arritur një kornizë paraprake për disa çështje, por se marrëveshja ende nuk është afër.
Të dyja palët sinjalizuan se ka ende dallime të mëdha.
Trump përsëriti më 25 maj se rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit duhet ose t’u dorëzohen Shteteve të Bashkuara, ose “të shkatërrohen në vend”.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se Komisioni Amerikan për Energjinë Bërthamore duhet të mbikëqyrë çdo shkatërrim apo transferim të materialit të uraniumit.
Irani, megjithatë, kundërshtoi raportimet që sugjeronin se kishte rënë dakord të pezullonte pasurimin e uraniumit.
Një diplomat i lartë iranian i përshkroi ato si “trillim i pastër”, ndërsa Ministria e Jashtme iraniane tha se, megjithëse janë bërë disa konstatime në negociata, “kjo nuk do të thotë se jemi afër” një marrëveshjeje përfundimtare.
SHBA-ja dhe Irani kanë një armëpushim të brishtë që nga 8 prilli, ndonëse incidentet sporadike kanë vazhduar në gjithë rajonin e Gjirit.




