Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu në mesazhin e tij me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë, duke theksuar rëndësinë shpirtërore, humane dhe shoqërore të kësaj feste të shenjtë.
Në urimin e tij, Reisul Ulemaja theksoi se Kurban Bajrami është festë që simbolizon besimin, sakrificën dhe përkushtimin ndaj Zotit, duke kujtuar se këto ditë përkojnë me kryerjen e obligimit të Haxhit dhe prerjen e kurbanëve. Ai nënvizoi se miliona besimtarë nga e gjithë bota, të mbledhur në vendet e shenjta islame, dëshmojnë fuqinë e besimit dhe përkushtimin ndaj Allahut, ndërsa mesazhi i kësaj feste është dashuria ndaj Zotit, njeriut dhe njerëzimit në përgjithësi, transmeton PressOnline.al.
Urimi i plotë i kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu drejtuar besimtarëve muslimanë:
Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
“:Thuaj:Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve.’” ( el En’amë- 162)
BESIMTARË TË NDERUAR, VËLLEZËR E MOTRA,
Sot, me zemër dhe shpirt, përjetojmë festën e madhe të Kurban Bajramit, festë kjo që shënon kryerjen e obligimit të Haxhit, obligimin e prerjes së kurbanëve, si dhe ditët në të cilat u plotësua Kur’ani Famëlartë për të qenë udhërrëfyes për mbarë njerëzimin dhe për të gjitha kohërat.
Në ditët e kësaj feste, miliona besimtarë, me besim të paluhatshëm dhe vetëdije të lartë, kryejnë obligimin e Haxhit për ta plotësuar kushtin e pestë të Islamit, duke dëshmuar në praktikë fuqinë e besimit dhe përkushtimin e tyre ndaj Zotit të Madhërishëm me fjalët: “Të përgjigjemi, o Zoti ynë, të përgjigjemi!”
Vërtet, sot në Qaben e bekuar, në luginën e Arafatit dhe në vendet tjera të shenjta, besimtarët dëshmojnë se qëllimi i tyre është dashuria ndaj Allahut, ndaj vetvetes dhe ndaj njeriut.
Në Qaben e bekuar marrin porosinë se njerëzimi buron nga një mashkull dhe një femër, gjë që ngre vetëdijen për barazinë në të gjitha sferat e jetës, për E madheotshmërinë, respektin, njerëzinë dhe zhvillimin në shërbim të njeriut.
Sot, në këtë ditë të madhe, besimtarët me kënaqësi kryejnë obligimin hyjnor të prerjes së kurbanëve të tyre, duke dëshmuar në praktikë se pasuria është dhuratë e Zotit dhe se ajo nuk është qëllim i jetës, por mjet për arritjen e qëllimeve të saj: besimit, kujdesit ndaj vetvetes, njeriut, jetimit, të varfrit, dijes dhe mirëqenies njerëzore.
Kjo vërteton parimin e madh islam se nuk ka vepra madhore pa sakrifica të mëdha dhe se e mira arrihet duke flijuar edhe më të dashurën që posedon njeriu.
Andaj, Festa e Kurban Bajramit, përmes kurbanit, kultivon personalitet konstruktiv, të matur, të urtë, të përkushtuar ndaj të mirës, solidar, paqësor dhe në çdo moment të kujdesshëm për mirëqenien e përgjithshme.
Kjo festë e bën besimtarin të vetëdijshëm që ta largojë nga vetja urrejtjen, xhelozinë, agresivitetin, nënçmimin, diskriminimin dhe përçarjen.
Ajo simbolizon vetëdijen e lartë mbi Krijuesin, kujdesin për familjen e shëndoshë, afërsinë me njëri-tjetrin, urtësinë në veprime, dashurinë ndaj të afërmve, prindërve dhe familjes, forcimin e lidhjeve ndërnjerëzore, shmangien e konflikteve ndërmjet venE madhee dhe kombeve, si dhe mbjelljen e paqes, tolerancës dhe solidaritetit për ngritjen e vetvetes, familjes dhe shoqërisë në përgjithësi.
Besimtarë të nderuar,
Në këtë festë të madhe, shfrytëzoj rastin që, në emër të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh urimet më të sinqerta dhe më të përzemërta të gjithë besimtarëve, familjeve tona, si dhe bashkatdhetarëve tanë kudo që jetojnë.
Lusim Zotin e Madhërishëm që t’i pranojë sakrificat tona, kurbanët dhe lutjet tona, duke na shpërblyer me mëshirën dhe begatitë e Tij të pakufishme.
URIME FESTA E MADHE E KURBAN BAJRAMIT! (PressOnline.al)




