Ndjesia e therjes, djegies apo mpirjes në shputa shpesh konsiderohet një shqetësim kalimtar, por specialistët paralajmërojnë se në disa raste mund të sinjalizojë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimet nervore, çrregullimet e qarkullimit të gjakut apo edhe diabetin.
Ekspertët e shëndetit të këmbës theksojnë se simptomat e vazhdueshme nuk duhet të injorohen, pasi ajo që nis si një ndjesi e lehtë “milingonash” mund të përparojë deri në dëmtime të përhershme të nervave.
Sipas mjekëve, therjet ose mpirja në shputa, të njohura si parestezi, lidhen shpesh me probleme neurologjike ose me qarkullimin e dobët të gjakut.
Në raste të përkohshme, ato mund të shfaqen nga presioni mbi nervat, si qëndrimi për një kohë të gjatë këmbëkryq. Por kur simptomat përsëriten apo zgjasin, nevojitet kontroll mjekësor.
Ndër shkaqet më të zakonshme përmendet neuropatia periferike, një dëmtim i nervave që shpesh lidhet me diabetin, mungesën e vitaminave apo konsumimin e tepërt të alkoolit. Simptomat përfshijnë djegie, therje dhe humbje të ndjeshmërisë në këmbë.
Një tjetër problem i zakonshëm është sindroma e tunelit tarsal, ku nervi tibial shtypet pranë nyjës së këmbës, duke shkaktuar mpirje dhe dhimbje në shputë. Po ashtu, edhe ishiasi mund të japë simptoma të ngjashme, pasi irritimi i nervit shiatik shpesh përhap dhimbjen dhe mpirjen deri në këmbë.
Mjekët paralajmërojnë gjithashtu për problemet me qarkullimin e gjakut, si sëmundja e arterieve periferike, e cila ul furnizimin me gjak në këmbë dhe mund të shkaktojë mpirje, ftohtësi apo ngërçe.
Në raste më të rënda, tromboza e venave të thella mund të sjellë ënjtje dhe ndryshim të ngjyrës së lëkurës, duke kërkuar ndërhyrje urgjente.
Mungesa e vitaminës B12, folatit dhe vitaminës E mund të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e nervave, ndërsa sëmundje autoimune si skleroza multiple apo lupusi gjithashtu mund të shkaktojnë mpirje progresive.
Specialistët këshillojnë që të kërkohet ndihmë mjekësore nëse mpirja zgjat për disa ditë, përkeqësohet, shoqërohet me probleme në ecje, plagë që nuk shërohen apo simptoma në të dyja këmbët.
Sipas tyre, diagnoza e hershme është vendimtare për të parandaluar komplikimet dhe dëmtimet e përhershme të nervave.




