Limaj: NISMA do ta mbështesë PDK-në dhe Bedri Hamzën në zgjedhjet e 7 qershorit

featured
Press Online
25 Maj 2026, 19:18

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kanë konfirmuar nisjen e një bashkëpunimi strategjik politik dhe elektoral ndërmjet dy subjekteve para zgjedhjeve të 7 qershorit.

Përmes postimeve të ndara në Facebook, Hamza dhe Limaj kanë bërë të ditur se NISMA Socialdemokrate do ta mbështesë PDK-në dhe kandidaturën e Bedri Hamzës për kryeministër.

Hamza ka deklaruar se ai dhe Limaj i bashkojnë të njëjtat vlera dhe ideale politike, duke theksuar se Kosova ka nevojë për bashkim dhe bashkëpunim institucional.

“Me Fatmirin na kanë bashkuar vlera, ideale dhe përgjegjësia për vendin. Të njëjtat vlera po na afrojnë dhe po na ribashkojnë sërish sot, në një moment kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim, seriozitet dhe bashkëpunim në interes të qytetarëve”, ka shkruar Hamza.

Ai e ka cilësuar këtë mbështetje si hap drejt një bashkëpunimi afatgjatë politik, institucional dhe qeverisës për stabilitet dhe zhvillim të vendit.

Ndërkohë, Limaj ka bërë të ditur se pas takimit me Hamzën në selinë e NISMA-s, dy partitë kanë arritur pajtim për një bashkëpunim strategjik politik, elektoral, qeverisës dhe organizativ.

“Në këtë frymë, NISMA Socialdemokrate do ta mbështesë PDK-në dhe kandidatin e saj për kryeministër z. Bedri Hamza, në këto zgjedhje”, ka shkruar Limaj.

Ai ka shtuar se partneriteti ndërmjet dy partive do të synojë stabilitet institucional, zhvillim ekonomik dhe forcim të shtetit, duke theksuar se bashkëpunimi mbështetet në vlera shtetformuese, orientim euroatlantik dhe partneritet me SHBA-në.

Limaj po ashtu ka përmendur mbështetjen për vlerat e luftës çlirimtare dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me Gjykatën Speciale në Hagë.

Të dy liderët kanë vlerësuar se ky bashkëpunim përfaqëson një hap drejt bashkimit të forcave politike që ndajnë të njëjtin vizion për një qeverisje stabile dhe funksionale në Kosovë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter