Njëri nga kryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti, në rrjetin social Facebook thekson se ka nisur rrënimi i perandorisë së kredive të shpejta. Mexhiti, mes tjerash, potencon se lufta kundër kredive të shpejta nuk ka qenë vetëm slogan elektoral, por një zotim që, siç shton ai, po shndërrohet në veprim.
Lufta kundër kredive të shpejta dhe industrisë së kumarit nuk ka qenë slogan elektoral, as deklaratë për tituj mediatikë. Ka qenë zotim. Ka qenë betim para qytetarëve. Dhe sot, ky zotim po shndërrohet në veprim.
Dhe ketë luftë do mundohen ta pengojnë disa grupe të fuqishme interesi. Nga nëntoka, nga krimi i organizuar dhe nga ata që pasurohen mbi borxhin, dëshpërimin dhe hallin e familjeve. Por ta kenë të qartë, kjo luftë nuk ndalet! Dhe nga ky premtim nuk tërhiqemi asnjë hap!
Vendimi për heqjen e licencës së “Credi Yes” dhe mbylljen e 40 filialeve të saj është sinjal i qartë se koha e paprekshmërisë po merr fund. Është dëshmi se institucionet më në fund po veprojnë kundër një sistemi që për vite të tëra ka rënduar jetën e qytetarëve dhe ka goditur mijëra familje.
Të dashur qytetarë,
Zullumit po i vjen fundi. Sepse institucionet po veprojnë. Sepse shteti po iu përgjigjet atyre që kanë menduar se mund të sundojnë mbi hallin e njerëzve.
Ashtu siç jemi zotuar, unë dhe VLEN do të vazhdojmë të qëndrojmë në mbrojtje të qytetarëve. Kundër çdo forme të zhvatjes financiare. Kundër varësisë nga kumari. Kundër çdo skeme që i fut njerëzit në borxhe, pasiguri dhe dëshpërim.
Ky është angazhim i palëkundur. Është betejë për drejtësi. Dhe kjo betejë do të shkojë deri në fund.



