Ministria e Financave: I merret licenca një shoqërie financiare, vazhdojnë kontrollet e përforcuara

featured
Press Online
23 Maj 2026, 13:22

Ministria e Financave ka njoftuar se i është hequr licenca për punë një prej shoqërive më të mëdha financiare në treg, pas një mbikëqyrjeje të jashtëzakonshme të realizuar pas ankesës së një qytetari.

Sipas ministrisë, gjatë kontrollit janë konstatuar shkelje serioze të dispozitave ligjore dhe veprime në kundërshtim me rregullat për mbrojtjen e konsumatorëve, transmeton TV21.

Nga Ministria thonë se praktikat e përdorura nga shoqëria financiare kanë vënë në rrezik qytetarët që kanë shfrytëzuar shërbimet e saj. Për shkak të parregullsive të evidentuara, në muajin maj është marrë vendim për heqjen e licencës së punës së kësaj kompanie.

Ministria e Financave bëri të ditur se edhe gjatë vitit 2026 do të vazhdojnë kontrollet e përforcuara ndaj shoqërive financiare në vend. Që nga fillimi i vitit janë shqiptuar 22 gjoba për 16 shoqëri financiare, si dhe 23 urdhra për mënjanimin e parregullsive.

Paralelisht me kontrollet, autoritetet po përgatisin edhe ndryshime ligjore për të rritur mbrojtjen e qytetarëve dhe transparencën në sektorin financiar./TV21

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter