Një aksident i rëndë dhe me pasoja tragjike ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qarkoren Radishan-Prishtinë-Mirkovcë, ku katër persona kanë humbur jetën si pasojë e një përplasjeje të fuqishme mes një veture të tipit BMW dhe një kamioni me targa të Kosovës.
Burime paraprake bëjnë me dije se drejtuesi i kamionit ka mbijetuar, ndërsa dyshimet e para të hetimit flasin për një humbje vetëdijeje të shoferit për shkak të lodhjes, gjë që ka bërë që mjeti i rëndë të kalojë në korsinë e kundërt dhe të godasë fatalisht veturën.
Goditja ka qenë aq e fortë sa automjeti BMW është përfshirë menjëherë nga flakët, duke bërë të pamundur shpëtimin e katër personave që ndodheshin brenda tij, raporton Alsat. Ekspertiza fillestare në terren ngre dyshimet se makina mund të jetë drejtuar nga një grua, megjithatë, për shkak të djegies totale të mjetit dhe dëmtimeve ekstreme të trupave, identifikimi zyrtar i viktimave mbetet jashtëzakonisht i vështirë dhe do të kërkojë kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore dhe obduksionit.



