VMRO DPMNE përmes një komunikate të ashpër ka sulmuar liderin e LSDM-së, Venko Filipçe, duke e akuzuar se së bashku me ish-kryeministrin Zoran Zaev, sërish po ofron “shitjen e Maqedonisë” për arsye të shpëtimit personal politik, përcjell PressOnline.al.
“Maqedonia nuk duhet dhe nuk guxon të jetë përsëri viktimë e politikave të Venko Filipçes dhe mentorit të tij Zoran Zaev, të cilët për shkak të shpëtimit personal dhe amnistisë janë të gatshëm sërish të udhëheqin politika servile dhe të shesin interesat shtetërore”, thonë nga VMRO DPMNE.
Nga VMRO pretendojnë se Filipçe është i vetëdijshëm për “rejtingun e tij katastrofal personal”, për gjendjen e dobët në LSDM dhe për mungesën e kredibilitetit politik.
“Pikërisht për këtë arsye, mekanizmi i vetëm që i ka mbetur Filipçes është serviliteti dhe shërbimi ndaj agjendave të huaja, prej të cilave pret mbështetje për të ardhur në pushtet dhe për ta ruajtur karriken në Bihaqka”, thuhet në reagim.
VMRO DPMNE akuzon se Filipçe “hapur ofron poshtërime të reja kombëtare, lëshime të reja dhe tregti me interesat shtetërore vetëm për përfitim personal”.
Në komunikatë, partia në pushtet vlerëson se qytetarët tashmë e kanë paguar çmimin e politikave të LSDM-së.
“Maqedonia dhe qytetarët tashmë një herë e paguan çmimin e politikave nënshtruese të LSDM-së dhe çmimin e qeverisjes së LSDM-së me korrupsion, krim, poshtërime dhe vendosje të shtetit në pozitë të nënvlerësuar në planin ndërkombëtar”, theksojnë nga VMRO DPMNE.
Partia shton se qytetarët nuk do t’u besojnë përsëri “të njëjtëve njerëz si Zaev dhe Filipçe”.
“Populli nuk i beson LSDM-së dhe prandaj nuk do të lejojë që të njëjtët njerëz si Zaev dhe Filipçe, të cilët e ndryshuan emrin, e poshtëruan popullin dhe premtuan të ardhme evropiane që nuk e realizuan kurrë, t’i mashtrojnë përsëri”, thuhet në reagim.
Nga VMRO DPMNE porosisin se “Maqedonia nuk guxon të jetë shtet i politikanëve të shantazhuar, të cilët janë të gatshëm ta shesin atë për shpëtim personal”.



