Reali i Madridit përgatitet për ‘eksodin’, 10 futbollistët që pritet të lënë Los Blancos 20/05/2026 13:27

featured
Press Online
20 Maj 2026, 23:57

Reali i Madridit përgatitet për një eksod masiv futbollistik. Deri në 10 futbollistë pritet të largohen nga Los Blancos në muajt e kësaj vere. Ndryshime dhe largime që duhet të kenë edhe miratimin e trajnerit të ri që, nëse nuk do të ketë ndonjë supersurprizë në procesin elektoral të klubit madrilen, do të jetë Jose Mourinho.

Sipas medias në Spanjë, i pari që do të kërkojë destinacion të ri është Lunin. Edhe pse ukrainasi ka pasur një rendiment të shkëlqyer në fushën e lojës sa herë është aktivizuar, në klub duan që të sjellin në skuadrën e parë, Javi Navarron, heroin e titullit të UEFA Youth League të fituar nga Reali i Madridit.

Në mbrojtje, janë dy futbollistë që do të largohen me siguri sepse iu skadon kontrata. Bëhet fjalë për Dani Carvajal që në fakt e konfirmoi mbylljen e karrierës së tij me Realin dhe David Alaba. Ai që qëndron sepse ka rinovuar edhe për një vit tjetër është Antonio Rudiger. Ndërkaq kërkohet destinacioni i ri edhe për një prej mbrojtësve të majtë, më shumë për Fran Garcian sesa për Alvaro Carreras që u transferua te Reali si një prej blerjeve të mëdha. Në rastin e Mendy, duke parë edhe dëmtimin e rëndë të futbollistit, opsioni është arritja e një marrëveshjeje për zgjidhjen e kontratës.

Në mesin e fushës janë 3 futbollistë që janë vënë nën rreth. I pari është Dani Ceballos, andaluziani ka edhe një vit në kontratën më Los Blancos, por edhe ai do të kërkojë një skuadër të re. Më pas janë rastet e Eduardo Camavinga dhe Federico Valverde. Rendimenti i francezit është larg atij që pritej ndërsa në rastin e uruguajit ndikon incidenti me Tchouameni. Në këtë rast Reali nuk do të ketë probleme që t’i gjejë një destinacion futbollistit që mund t’iu sigurojë të ardhura të konsiderueshme.

Përsa i përket sulmit, është Gonzalo ai që është me valixhe në duar. Pas shpërthimit në Botërorin e Klubeve, ai nuk pati protagonizmin që shpresonte. Xabi Alonso ishte ai që besoi më shumë te sulmuesi i ri, por me Arbeloan u shfaq në fushë vetëm në fundin e sezonit.

Dhe në fund pritet të mësohet se çfarë do të ndodhë me Vinicius. Braziliani ka një kontratë që skadon në 30 qershor të 2027 dhe ende nuk është thënë asgjë për rinovimin e saj. Nëse nuk do të ketë një marrëveshje në këtë pikë, Realit të Madridit do t’i duhet ta shesë brazilianin për të mos e humbur me parametra zero në verën e ardhshme.

 

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter