Maqedonci: Serbia vazhdon politika hegjemoniste ndaj Kosovës, kërcënimet mbeten reale

featured
Press Online
20 Maj 2026, 22:51

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim për Kosovën përmes politikave hegjemoniste, militarizimit dhe mbështetjes së grupeve destabilizuese në veri të vendit.

Në një intervistë në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ai u pyet nga moderatori Ermal Panduri lidhur me deklaratat e presidentes Vjosa Osmani se Kosova kishte qenë e rrezikuar nga kërcënime serioze të sigurisë.

Maqedonci tha se Serbia nuk ka ndalur asnjëherë promovimin e politikave agresive ndaj Kosovës dhe rajonit.

“Serbia nuk ka ndaluar së promovuari politikë hegjemoniste në raport me Kosovën. Ne jemi dëshmitarë në çdo periudhë të pasluftës që Serbia ka filluar dhe ka vazhduar të zhvillojë kapacitetet luftarake, është militarizuar”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Beogradi ka vazhduar të mbajë qasje agresive edhe ndaj venE madhee fqinje, duke përfshirë pretendimet territoriale ndaj Kosovës.

“Ka vazhduar të promovojë politika hegjemoniste në raport me fqinjët, nuk është ndalur asnjëherë në promovimin e politikave agresive dhe pretendimeve territoriale ndaj fqinjëve, e veçanërisht ndaj Republikës së Kosovës, të cilën fatkeqësisht vazhdon ta mbajë ende në Kushtetutën e saj si pjesë integrale të saj, që normalisht është një akt kërcënimi për Republikën e Kosovës”, ka thënë Maqedonci.

Ai ka përmendur gjithashtu mbështetjen që, sipas tij, Serbia u ka dhënë grupeve terroriste dhe kriminale që kanë operuar në Kosovë me synim destabilizimin e vendit dhe ndarjen e veriut.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes ka theksuar se shqetësuese mbetet edhe prania ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën.

“Një shtrirje të ushtrisë, bazave në jug të territorit të Serbisë, një vendosje të 48 bazave të përparme të xhandarmërisë dhe ushtrisë serbe përgjatë vijës sonë kufitare, të gjitha këto normalisht duke u kombinuar me aktet e sabotazhit dhe kërcënimet e tjera hibride përmes akterëve të tjerë, paraqesin dhe kanë paraqitur kërcënim”, ka deklaruar ai.

Sipas Maqedoncit, këto zhvillime janë edhe konteksti në të cilin presidentja Osmani kishte paralajmëruar për rrezikun dhe kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës.

https://www.youtube.com/watch?v=0MCXK6E2Yvk

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter