Turneu i ri i Harry Styles ka nisur mes polemikash, pasi shumë fansa janë ankuar se biletat e tyre VIP me çmime të larta nuk u garantuan aspak pamjen që prisnin gjatë koncertit.
Pas dy netëve të para të turneut “Together Together”, rrjetet sociale u mbushën me komente nga pjesëmarrës të zhgënjyer, të cilët pretenduan se pamja e tyre ishte bllokuar nga struktura të mëdha metalike dhe shtigje të ngritura që kalonin nëpër fushën e stadiumit.
Përballë reagimeve të shumta, ekipi i turneut të Harry Styles ka reaguar zyrtarisht, duke sqaruar se koncepti i skenës ishte menduar për t’u dhënë fansave më shumë liri lëvizjeje dhe për ta bërë eksperiencën më dinamike.
Megjithatë, menaxhmenti pranoi se disa zona të caktuara kishin probleme me vijën e shikimit dhe tha se po punon për të bërë ndryshime në strukturë aty ku është e mundur, pa cenuar sigurinë.
Koncerti në stadiumin Johan Cruijff Arena kishte një skenografi gjigante me disa platforma dhe shtigje që përshkonin të gjithë stadiumin. Gjatë performancës, Harry kaloi shumë kohë larg skenës kryesore, duke lëvizur nëpër këto platforma për t’u afruar me publikun.
Por ironikisht, kjo skemë që synonte ta sillte artistin më pranë fansave, la shumë prej tyre me pamje të kufizuar, sidomos ata që ndodheshin në fund të fushës.
Burime pranë produksionit kanë bërë të ditur se ndryshime të tjera pritet të zbatohen në koncertet e ardhshme, ndërsa fansat po inkurajohen të lëvizin në zona të tjera të stadiumit nëse pamja e tyre pengohet.
Ndërkohë, ekspertët e industrisë kanë krahasuar situatën me problemet që hasi së fundmi edhe turneu “Cowboy Carter Tour” i Beyoncé, ku disa fansa gjithashtu u ankuan për pamje të dobët të skenës.



