Interi barazon 1-1 kundër Veronës, në ‘Meazza’ nis festa e titullit kampion! Parakalim në Milano deri në mesnatë!

featured
Press Online
19 Maj 2026, 01:32

Interi këtë sezon u shpall kampion i Serie A për herë të 21-të në histori, ndërsa fitoi edhe Kupën e Italisë duke bërë dopietë. Sot zikaltërit luajtën ndeshjen e fundit përpara tifozëve të tyre në ‘Giuseppe Meazza’ duke barazuar 1-1 kundër Veronës. Inter kaloi në epërsi me autogolin e Edmundsson, ndërsa Verona barazoi në fund me Bouie.

Përtej rezultatit ekipi i Cristian Chivu ka bërë një sezon për t’u mbajtur mend dhe festa në Milano do jetë deri në mesnatë, aty ku parashikohet që pas orës 23:00 ekipi të përshëndetet me tifozët në ‘Duomo’ pas një parakalimi në rrugët e Milanos me autobus të hapur.

Pas orës 17:00 është programuar parada në stadium e futbollistëve zikaltër për medaljet e arta të kampionit dhe ngritjen lart të trofeut të Serie A. Pas orës 18:30 skuadra dhe drejtuesit e Interit të bëjnë një paradë me autobus të hapur në rrugët e Milanos, teksa mediet në Itali bëjnë me dije se mund të jenë nga 250-300 mijë tifozë në rrugë.

LEXO EDHE: Polemika të shumta në “Old Trafford”, Manchester United mposht Nottinghamin dhe siguron vendin e tretë!

Mbërritja në ‘Duomo’ pritet të bëhet mes orës 22:30 ose 23:00 të mbrëmjes, nga ku futbollistët do të ngjiten në një nga ballkonet pranë dhe do të përshëndesin tifozët mes këngëve dhe fishekzjarreve.

LEXO EDHE: Katastrofa e Vllaznisë ishte e “paralajmëruar”, e nisi “Final 4” me problemin më të madh për një pretendent për titullin!

Serie A e futbollit në Itali zhvilloi këtë të diel gjashtë nga dhjetë ndeshjet e raundit të 37-të, ose thënë ndryshe të parafundit të sezonit. Përveç Juventusit që u mposht 0-2 në shtëpi nga Fiorentina, të gjitha skuadrat që kërkojnë një vend në Champions League kanë siguruar tri pikë. Interi barazoi 1-1 kundër Veronës, me zikaltërit që do të festojnë sot titullin e 21-të kampion të Serie A në rrugët e Milanos.

Roma fitoi 2-0 në ‘Olimpico’ derbin kundër Lazios dhe merr vendin e katërt, ndërsa tri pikë edhe për Milanin që mposhti 1-2 Genoan në udhëtim. Napoli u kujdes të fitonte 0-3 në Pisa duke siguruar matematikisht vendin e dytë dhe Championsin me 73 pikë. Këtë mesditë Juventusi ishte hija e vetvetes duke u rrëzuar në vendin e gjashtë (68 pikë), Milani me 70 pikë mban vendin e tretë, ndërsa edhe Roma ka 70 pikë, por mban vendin e katërt. Como me 68 pikë merr vendin e pestë.

Zona Champions League (katër vendet e para) do të vendoset raundin e fundit fundjavën që vjen. Napoli pret në shtëpi Udinesen, Milani luan në ‘San Siro’ kundër Cagliarit, Roma udhëton për në Verona, Como luan në Cremona, ndërsa Juventusi përballet në derbin kundër Torinos, me ‘Zonjën e Vjetër’ që është me një këmbë jashtë Champions League.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter