Statusi i fundit i nënkryetarit të Bashkimi Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ku ai akuzon për “albanofobi” dhe moszbatim të Ligjit për Gjuhët, ka hapur debat të ri në opinion lidhur me përgjegjësinë politike për moszbatimin e dispozitave që vetë BDI i kishte promovuar si fitore historike, shkruan PressOnline.al
Osmani në statusin e tij thekson se “nuk ka nevojë të kërkohet zgjidhje”, pasi sipas tij, zgjidhja ekziston në Ligjin për Gjuhët, konkretisht në nenin 23, alineja 5, dhe se problemi qëndron vetëm te implementimi. Ai akuzon se ligji nuk respektohet nga struktura që, sipas tij, synojnë ta zhbëjnë përdorimin e gjuhës shqipe në institucione.
Megjithatë, reagimet në rrjete sociale dhe në opinion publik shtrojnë pyetjen kryesore: nëse zgjidhja ka ekzistuar prej vitesh në ligj, pse ajo nuk është zbatuar pikërisht gjatë kohës kur Bashkimi Demokratik për Integrim ishte pjesë e pushtetit dhe kur vetë Bujar Osmani mbante funksione të larta shtetërore?
Kritikët rikujtojnë se BDI për më shumë se dy dekada ishte faktor vendimmarrës në qeveri, ndërsa implementimi i plotë i shqipes në shumë institucione mbeti i pjesshëm. Si shembull përmendet edhe rasti i djalit të ish-kryeministrit shqiptar Talat Xhaferi, i cili provimin e jurisprudencës e dha në gjuhën maqedonase – një fakt që sipas kritikëve dëshmon se edhe vetë elita politike shqiptare nuk arriti të krijojë kushte reale që sistemi të funksionojë plotësisht në gjuhën shqipe.
Debati është rikthyer sidomos rreth mënyrës se si institucionet kanë trajtuar përdorimin e shqipes në procedura profesionale, juridike dhe administrative. Analistët vlerësojnë se problemi nuk lidhet vetëm me ekzistencën e dispozitave ligjore, por me mungesën e vullnetit politik për t’i zbatuar ato në praktikë.
Në opinion po shtrohet edhe dilema nëse deklaratat aktuale të Osmanit janë përpjekje për të zhvendosur përgjegjësinë te pushteti aktual, ndërkohë që shumë nga çështjet që ai ngre sot kanë qenë prezentë edhe gjatë mandateve të gjata të BDI-së në qeveri.(PressOnline.al)
Osmani flet për moszbatim të shqipes, kritikat: Ku ishte BDI për 20 vjet?



