Producenti fitues i çmimit Emmy, Jeffrey Mark, ka bërë deklarata tronditëse për jetën private të Michael Jackson, duke pretenduar se “Mbreti i Popit” ishte abuzuar seksualisht gjatë fëmijërisë së tij dhe se vetë këngëtari e konsideronte atë përvojë si diçka “normale”.
Në një intervistë për New York Post, Mark tregoi se kishte zhvilluar biseda private me Jackson në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, gjatë takimeve në shtëpinë e dermatologut të njohur Arnold Klein në Los Angeles.
Sipas producentit, Jackson nuk e përshkruante atë që kishte përjetuar si “abuzim”, por si një lloj “loje”, pasi ishte rritur duke besuar se sjellje të tilla ishin normale.
Michael nuk përdori kurrë fjalët ‘abuzim’ apo ‘seks’. Ai fliste për gjëra që i konsideronte pjesë normale të jetës
-u shpreh Mark, duke shtuar se këngëtari dukej i habitur kur ai vetë i tregoi për traumat që kishte kaluar nga babai i tij.
Deklaratat kanë rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes polemikat që kanë ndjekur Jackson ndër vite. Emri i tij u përball me akuza për abuzim ndaj të miturve, megjithëse artisti u shpall i pafajshëm në gjyqin e vitit 2005.
Debati u rikthye fuqishëm pas publikimit të dokumentarit Leaving Neverland në vitin 2019, ndërsa këtë vit interesimi për jetën e tij është rritur sërish pas suksesit të filmit biografik Michael.
Mark pretendon se përvojat e hershme të Jackson mund të kenë ndikuar në mënyrën si ai i perceptonte marrëdhëniet me fëmijët dhe se vetë artisti nuk e shihte veten si një person abuziv.
Ndërkohë, Jackson kishte folur më parë publikisht për dhunën fizike nga babai i tij, Joe Jackson, por kurrë nuk kishte përmendur abuzim seksual.
Michael Jackson ndërroi jetë në vitin 2009 në moshën 50-vjeçare pas një arresti kardiak të lidhur me përdorimin e anestetikut Propofol, ndërsa figura e tij vazhdon të mbetet një nga më të diskutuarat në historinë e muzikës pop.



