Dhuna dhe bullizmi në shkolla vazhdojnë të mbeten ndër shqetësimet më serioze në sistemin arsimor

featured
Press Online
17 Maj 2026, 16:29

Rastet e dhunës dhe bullizmit në shkolla po mbeten një nga shqetësimet kryesore në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ekspertët dhe aktivistët paralajmërojnë për rritje të këtij fenomeni dhe mungesë të masave efektive parandaluese.

Psikologu Safet Ballazhi vlerëson se dhuna në shkolla është pasojë e një kombinimi faktorësh shoqërorë dhe institucionalë, duke theksuar se shoqëria po përballet me erozion të vlerave dhe një mjedis permisiv ku mungojnë rregullat dhe ndëshkimi. Sipas tij, mungesa e disiplinës dhe mosrespektimi i rregullave po krijojnë një klimë ku sjelljet problematike normalizohen.

“Normalisht, në një gjendje të tillë kur gjithçka është e lejuar nuk ka ndëshkime edhe për sende serioze e jo më për sende të vogla. Në fakt për sende të vogla duhet të fillohet edhe fëmijët të mësohen me rregulla se çfarë mundet e çfarë nuk mundet. Pastaj ato mësohen se çkado që të bëhet është e lejuar, kalon dhe normalisht atëherë fillojmë të funksionojmë sipas parimit të më të fortit edhe secili dëshiron të përfitoj diçka që e dëshiron në një farë mënyre duke mos u thirur në një palë vlera universale prandaj themi se edhe kemi erozion të vlerave”, tha Safet Ballazhi, psikolog.

Ndërkohë, aktivisti për të drejtat e fëmijëve Luan Imeri thekson se mosnjohja e të drejtave dhe mungesa e bashkëpunimit mes prindërve dhe shkollave po e thellon problemin e bullizmit dhe dhunës mes nxënësve. Ai shprehet i shqetësuar për nivelin e ulët të parandalimit dhe mungesën e përfshirjes së prindërve në zgjidhjen e rasteve.

“Është e pakuptueshme sa shumë shkollat harxhojnë energji, stafi harxhon energji per ti fsheh këto probleme të cilat ndodhin çdo ditë në shkolla. Nuk kemi përkrahje nga vet prindërit, ne prindërit themi se bëjmë gjithçka për fëmijët tanë, kur vjen puna të bëhet diçka konkretisht për fëmijët në tërhiqemi. Bashkëpunimi me shkollat është shumëi ulët, shumë I vogël, vetëm një pjesë e vogël e prindërve marrin pjesë në këto mbledhje, diskutojmë, I trajtojmë temat të cilat duhet ti trajtojmë dhe prevencioni, prevencioni është zero, nuk punohet”, tha Luan Imeri, aktivist për të drejtat e fëmijëve.

Në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në shkolla, po parashihet vendosja e gjobës prej 250 euro për prindërit e fëmijëve që kryejnë akte dhune në ambientet shkollore. Kjo masë është pjesë e ndryshimeve të reja ligjore që po përgatiten nga Ministria e Arsimit dhe deputetët në Kuvend. Rasti i fundit i dhunës në shkolla është regjistruar në shkollën fillore “22 Nëntori” në Hasanbeg, ku një nxënës 15-vjeçar u plagos me një mjet të mprehtë nga një ish nxënës i kësaj shkolle./Alsat.mk

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter