Andi Nuhiu ndjek hapat e babait, debuton me ekipin e parë të FC Shkupit

featured
Press Online
17 Maj 2026, 03:06

Shkup, 17 maj – Një tjetër talent nga Çairi po merr vëmendjen në futbollin vendor. Futbollisti i ri Andi Nuhiu ka debutuar me ekipin e parë të FC Shkupit në moshën vetëm 16-vjeçare, duke shënuar një hap të rëndësishëm në karrierën e tij sportive.

Andi e ka nisur rrugëtimin e tij futbollistik në grupmoshat e reja të klubit nga Çairi, ku me paraqitjet dhe përkushtimin e tij ka arritur gradualisht të fitojë besimin për t’u bashkuar me ekipin senior. Debutimi i tij erdhi të shtunën në ndeshjen ndaj Rabotniçkit, një moment i veçantë për të riun shkupjan dhe për të gjithë ata që kanë ndjekur zhvillimin e tij ndër vite.

Debutimi në një moshë kaq të re konsiderohet një arritje e madhe dhe një tregues i potencialit që posedon Andi Nuhiu. Ai tashmë shihet si një nga futbollistët premtues që po vijnë nga akademia e FC Shkupit.

Vëmendje të veçantë merr edhe fakti se Andi është djali i ish-futbollistit Arben Nuhiu, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e FC Shkupit. Kështu, mbiemri Nuhiu vazhdon të jetë i lidhur me klubin nga Çairi, këtë herë përmes gjeneratës së re.

Ndryshe, takimi i javës së 32-të i takoi Rabotniçkit, që triumfoi bindshëm me rezultat 7:0 ndaj Shkupit. Kujtojmë se ekipi nga Çairi, si dhe “Romantikët”, nga sezoni i ardhshëm do të garojnë në Ligën e Dytë, pasi këtë edicion nuk arritën të sigurojnë mbijetesën në elitën e futbollit vendor.

Për Andin, debutimi me ekipin e parë mbetet vetëm fillimi i një rruge që pritet të sjellë edhe shumë sfida dhe suksese në të ardhmen.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter