Princ Harry dhe Meghan Markle po rikthehen me një projekt të ri të madh për Netflix, duke punuar për një film artistik të bazuar në librin “No Way Out: The Short True Story of Men Under Siege”.
Filmi do të prodhohet nga kompania e tyre Archewell Productions në bashkëpunim me producenten Tracy Ryerson, ndërsa skenari i projektit do të shkruhet nga Matt Charman, i njohur për filmin “Bridge of Spies”, i cili i solli edhe një nominim për Oscar.

Historia mbështetet në kujtimet e majorit britanik Adam Jowett dhe përqendrohet te misionet e ushtarëve britanikë në Musa Qala, Afganistan, gjatë vitit 2006.
Projekti shihet si mjaft personal për Princ Harry-n, i cili ka shërbyer për një dekadë në ushtrinë britanike dhe ka qenë dy herë i dislokuar në Afganistan gjatë karrierës së tij ushtarake.
Libri “No Way Out”, i publikuar në vitin 2019, mori vlerësime pozitive nga kritika dhe lexuesit, ndërsa tani historia e tij pritet të vijë për herë të parë në ekranin e madh.
Ky produksion vjen në një periudhë kur bashkëpunimi mes Harry-t, Meghan-it dhe Netflix është komentuar shpesh në media, me raportime se platforma pret projekte më të forta dhe më të suksesshme nga çifti. Sipas mediave ndërkombëtare, “No Way Out” konsiderohet një nga projektet më ambicioze që ata kanë ndërmarrë deri tani.



