Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se forcat amerikane dhe ato të Nigerisë kanë vrarë një prej drejtuesve më të lartë të ISIS-it gjatë një operacioni ushtarak të zhvilluar në Afrikë.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump tha se misioni i përbashkët ishte “ekzekutuar në mënyrë perfekte” për të eliminuar “terroristin më aktiv në botë”, Abu-Bilal al-Minuki.
Al-Minuki ishte shpallur nga Uashingtoni si “terrorist global i veçantë” në vitin 2023.
Deri tani, ushtria nigeriane nuk ka komentuar mbi operacionin. Nëse konfirmohet, vrasja e tij do të konsiderohej një tjetër goditje e rëndë për ISIS pas eliminimit të liderit të grupit, Abu Bakr al-Baghdadi, në vitin 2019.
I njohur edhe si Abu Bakr ibn Muhammad ibn Ali al-Mainuki, ai drejtonte celula të lidhura me ISIS në Afrikë.
Trump nuk dha detaje të tjera mbi operacionin apo kohën kur është zhvilluar misioni ushtarak.
Presidenti amerikan e cilësoi eliminimin e tij si një goditje të madhe ndaj rrjeteve afrikane dhe globale të ISIS, duke theksuar se operacioni do të dëmtojë strukturat drejtuese dhe kanalet e financimit të organizatës.
Ai falënderoi gjithashtu qeverinë nigeriane për “partneritetin”, duke shtuar se Al-Minuki “nuk do të terrorizojë më popullin e Afrikës dhe nuk do të ndihmojë më në planifikimin e sulmeve ndaj amerikanëve”.



