Fabrizio Romano konfirmon largimin e Igli Tares nga Milani në fund të sezonit.
Sipas ekspertit të merkatos, drejtori sportiv shqiptar dhe klubi kuqezi do të ndajnë rrugët pas vetëm një viti bashkëpunim, ndërsa mbeten vetëm procedurat formale për t’u mbyllur marrëveshja.
Raportet mes Tares dhe drejtuesve të klubit janë krisur prej kohësh, teksa rezultatet zhgënjyese të Milanit në javët e fundit dhe merkato e verës së kaluar kanë ndikuar ndjeshëm në këtë vendim.
Projekti që nisi me shumë pritshmëri nuk arriti të japë efektet e pritura, duke sjellë pakënaqësi në ambientin kuqezi.
Ndërkohë, në “San Siro” pritet të merren vendime të rëndësishme edhe për pankinën. E ardhmja e trajnerit Massimiliano Allegri mbetet në dyshim dhe drejtuesit e Milanit do të analizojnë situatën në fund të sezonit përpara se të vendosin mbi vazhdimësinë e tij.
Gazetari pranë Milanit, Carlo Pellegatti, ka raportuar se Allegri mund të mos qëndrojë në “San Siro” përtej verës për shkak të marrëdhënieve të tendosura me me drejtorin ekzekutiv, Giorgio Furlani.
LEXO EDHE: FSHF ul çmimin e biletave për Kombëtaren, por merr vendimin drastik ndaj Izraelit dhe Luksemburgut!
Kontrata e Allegrit skadon në qershor të vitit 2027, por marrëveshja përfshin një zgjatje automatike deri në vitin 2028 nëse kuqezinjtë kualifikohen për Champions League këtë sezon.
Tuttomercatoweb shton se edhe Tare është nën vëzhgim, pasi investimet e mëdha të Milanit gjatë verës nuk kanë dhënë fryte, veçanërisht Christopher Nkunku dhe Ardon Jashari.
Sipas raportit, Tony D’Amico i Atalantës mbetet në objektivin e Milanit pas interesit të verës së kaluar, por klubi bergamask ende ngurron të ndahet me drejtorin e tyre sportiv.
LEXO EDHE: “Ardhja e tyre në pushtet sjell pasoja!”/Mbappe përplaset me partinë e Le Pen, Jordan Bardella: Kur ai ikën nga PSG, fitohet Championsi!



