“Islam Abazi, si drejtues i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në vend që të ndjekë dhe të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, është bërë xhelat i drejtësisë. Mbyllja e procedurës për lëndën ‘Mazut’, për të cilën ekzistojnë dyshime të bazuara për krim në vlerë prej 167 milionë eurosh, është skandal dhe dëshmi për aktivizimin e njerëzve të besueshëm të Ali Ahmetit, Zoran Zaevit dhe Venko Filipçes për mbrojtjen e kriminelëve të LSDM-së dhe BDI-së”, kumtuan sot nga VMRO-DPMNE.
Nga partia thonë se “ndikimi i Zaevit, Filipçes dhe Ahmetit në gjyqësor është i madh, veçanërisht te individë si Abazi. Kjo më qartë shihet nga raste si ky me mazutin dhe krimin prej 167 milionë eurosh, kur në vend që drejtësia të çohej deri në fund dhe lënda të hynte në procedurë gjyqësore, ajo mbyllet. Prokuroria që udhëhiqet nga fqinji i Ahmetit, para vetëm një viti kërkoi paraburgim për katër persona të dyshuar në këtë rast, sepse konsideronte se të dyshuarit mund të arratiseshin ose të ndikonin mbi dëshmitarët në procedurë”.
“Dhe tani papritmas, pas një viti, prokurorët e së njëjtës prokurori nën komandën e Abazit vendosin se nuk paska bazë dhe prova për të vazhduar procedura për këtë rast, edhe pse e gjithë opinioni pa se bëhet fjalë për krim të rëndë, pastrim parash dhe dyshime për ndotje të mjedisit jetësor. Një kontradiktë e tillë nga ana e prokurorisë që udhëhiqet nga Abazi, kuadër i BDI-së i vendosur në kohën e LSD-së, nuk mund të bazohet në argumente juridike apo prokuroriale, por vetëm në baza përfituese dhe politike. Prandaj, së pari e ftojmë Bashkim Besimin nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, i cili ndër të tjera është i afërm i ish-ministrit të Financave nga radhët e BDI-së, Fatmir Besimi, të tregojë pse Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të qëndrojë anash, kur është evidente se ka pasur ndikim nga Islam Abazi në të ashtuquajturin rast ‘Mazut’. Po ashtu, edhe prokurorja Katerina Kollareviq të tregojë se si ka konstatuar se nuk ka asnjë dëm në rastin e rëndë 167 milionë euro, kur e gjithë opinioni pa dhe dëgjoi për dëm financiar dhe ekologjik, dhe kur vetë EMV-ja dorëzoi ankesë në instancat më të larta gjyqësore”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga partia vlerësojnë se “kuadri i Ahmetit, Zaevit dhe Filipçes, Islam Abazi, duhet të përgjigjet deri kur planifikon të shërbejë për këtë treshe kriminale dhe, në vend që të jetë zbatues i drejtësisë, të jetë xhelat i drejtësisë. Gjyqësori maqedonas duhet të çlirohet nga figura si Islam Abazi, që në vend të tyre të vijnë profesionistë me kredibilitet moral dhe kapacitet intelektual, për të cilët zbatimi i drejtësisë është në vend të parë”.






