Çupeska alarmon: Maqedonia po bëhet cak i lehtë për manipulim digjital

featured
Press Online
15 Maj 2026, 09:48

Profesorja e Fakultetit Juridik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, dr. Ana Çupeska, paralajmëroi se Maqedonia po përballet me një krizë serioze të sovranitetit digjital, sigurisë kognitive dhe erozionit të sferës publike demokratike, duke vlerësuar se kërcënimet bashkëkohore prej kohësh i kanë tejkaluar kornizat klasike të sigurisë.

Këtë vlerësim, ndër të tjera, ajo e prezantoi në Konferencën e Dytë Shkencore “National Security Cultures – A View from the Balkans”, e cila u mbajt dje në Shkup, në organizim të Fondacionit “Friedrich Ebert” – zyra në Shkup, ku në fokus ishin çështjet e kulturës së sigurisë, rezistencës demokratike dhe politikave moderne të sigurisë.

Në ekspozenë e saj para publikut akademik, Çupeska theksoi se siguria në epokën digjitale nuk mund të reduktohet më vetëm në aspekte teknike dhe ushtarake, por bëhet çështje e mbrojtjes së demokracisë, autonomisë njerëzore dhe vetë vetëdijes njerëzore.

“Jemi dëshmitarë të një krize akute të sovranitetit personal digjital, i cili është nën presionin e ‘kapitalizmit mbikëqyrës’”, tha Çupeska, duke shtuar se të dhënat personale sot janë shndërruar në “lëndë të parë të sjelljes”, e cila përdoret për manipulim dhe kontroll të individëve.

Ajo paralajmëroi se zbatimi masiv i inteligjencës artificiale e destabilizon edhe më shumë sigurinë psikologjike të qytetarëve dhe krijon kushte për instrumentalizim politik dhe të ashtuquajturat operacione “psyop”, përkatësisht manipulime që degradojnë mekanizmat e vetëdijshëm mbrojtës të njerëzve.

Sipas saj, “mungesa e zhvillimit kognitiv që stimulon vlera i bën njerëzit të ndjeshëm ndaj operacioneve të sofistikuara psikologjike”.

Në ekspoze u theksua gjithashtu se Maqedonia është veçanërisht e cenueshme për shkak të nivelit të ulët të edukimit mediatik dhe digjital. Çupeska vlerësoi se ekosistemet asimetrike mediatike krijojnë “pasiguri ontologjike”, përkatësisht shqetësim të thellë te qytetarët rreth stabilitetit të identitetit të tyre dhe realitetit në të cilin jetojnë.

Duke iu referuar politikave institucionale, profesorja vlerësoi se krijimi i një resori për transformim digjital dhe nënshkrimi i konventave ndërkombëtare nuk janë të mjaftueshme pa mbrojtje thelbësore të qytetarëve nga manipulimet digjitale.

“Siguria në epokën digjitale prej kohësh nuk është vetëm çështje teknike. Ajo paraqet element kyç për ruajtjen e praktikës demokratike dhe vetë thelbit njerëzor, dimensionit të saj epistemologjik dhe ontologjik. Siguria duhet t’u referohet pikave të reja të analizës, të cilat gjenden larg modeleve klasike të fuqisë ushtarake, pozicionimit gjeopolitik ose dominimit ekonomik. Kjo kërkon afirmim më të fuqishëm të temës së kulturës së sigurisë, veçanërisht në formën e saj popullore dhe shoqërisht të kuptueshme”, theksoi Çupeska, duke shtuar se është e nevojshme të zhvillohet një platformë gjithëpërfshirëse që do të integrojë dimensionin e sigurisë, politik, dhe kulturor, si dhe të forcohet rezistenca e shoqërive.

“Nuk mund të jemi të gjithë pika të dhënash falas”, porositi Çupeska, duke shtuar se mbrojtja e privatësisë duhet të bëhet vlerë kulturore dhe demokratike, e jo vetëm procedurë administrative.

Ajo paralajmëroi edhe për rritjen e luftës kognitive, e cila, siç tha, i targeton “strukturat epistemike, vlerore dhe identitare të shoqërisë”. Sipas saj, kërcënimet moderne nuk janë të drejtuara vetëm kundër infrastrukturës, por drejtpërdrejt kundër vetëdijes dhe sistemit të vlerave të qytetarëve.

Si rrugëdalje nga kjo gjendje, Çupeska propozoi një strategji të bazuar në demokraci, integrim supranacional dhe arsim. Ajo vlerësoi se Maqedonia duhet ta trajtojë demokracinë si “interes suprem të sigurisë” dhe të investojë në vetëdije kritike, gjykim etik dhe rikthimin e autoritetit të gazetarisë profesionale dhe shkencës.

“Siguria dhe mbrojtja e Maqedonisë në epokën digjitale nuk ndërtohen me firewall-e softuerike, me ministri dhe me fraza për e-demokraci, por me njerëz rezistentë dhe të vetëdijshëm”, përfundoi Çupeska në fjalimin e saj.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter