Aleanca e Selës mohon kontaktet e drejtpërdrejta për hyrje në Qeveri

featured
Press Online
14 Maj 2026, 13:52

Deri më tani nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta mes dy palëve, aq më pak ndonjë ofertë konkrete që Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Ziadin Sela, të bëhet partner i ri qeveritar. Gjithçka është kufizuar në biseda joformale të tipit “pse nuk bashkoheni me ne”, përmes të cilave koalicioni qeverisës, kryesisht VLEN-i, po teston terrenin se sa hapësirë ka për zgjerimin e shumicës me një aleat të ri të përfaqësuar në Parlament.

Kështu kanë brifuar për “Fokus” burime nga Aleanca e Selës, si një lloj reagimi ndaj qëndrimeve të njërit prej bashkëkryetarëve të VLEN-it, Bilall Kasami, të shprehura mbrëmë në një intervistë televizive, përcjell PressOnline.al . Në atë intervistë, Kasami tha se ka sinjale të caktuara se Ziadin Sela mund të bëhet pjesë e Qeverisë, por kjo do të ndodhte nën kushte të caktuara.

“Ekzistojnë sinjale se Ziadin Sela do të ishte i gatshëm të bëhej pjesë e Qeverisë nën kushte të caktuara”, tha Bilall Kasami për Ziadin Selën, duke shtuar se e vlerësojnë interesimin e tij për t’iu bashkuar shumicës. Në të njëjtën intervistë, ai shtoi se nuk e përjashton mundësinë e bisedimeve me Selën në momente të caktuara.

Nga partia e Selës për “Fokus” thonë se kushtet që i përmend Kasami, konkretisht ndryshimet kushtetuese ku do të zë vend formulimi “gjuha shqipe” në vend të “gjuha që e flasin të paktën 20 për qind e popullsisë”, pastaj zgjedhja e Qeverisë dhe votimi i vendimeve në Gjykatën Kushtetuese detyrimisht të bëhen me Badenter, në fakt janë qëllime të tyre për realizim në veprimtarinë politike.

“Për këto arritje luftojmë çdo ditë dhe në çdo situatë, dhe prej tyre nuk heqim dorë, pavarësisht nëse ndonjëherë do të jemi pjesë e pushtetit apo do të mbetemi në opozitë. Është përgjithësisht e njohur se Ziadin Sela, në çdo pjesëmarrje në pushtet, ka pasur arritje konkrete – siç është Ligji për gjuhët, por edhe në kuadër të veprimit opozitar, përmes hapave konkretë me Ligjin për shtetësi, kemi dëshmuar se ndjekim politika të drejta”, thonë nga partia e Selës për “Fokus”.

Krahu i Aleancës i udhëhequr nga Ziadin Sela aktualisht numëron tre deputetë – përveç Selës, aty janë edhe Ilire Dauti dhe Elmi Aziri. I katërti – Ilir Demiri, para disa muajsh u largua prej tyre, fillimisht duke u deklaruar si deputet i pavarur. Pak kohë më pas, ai iu bashkua pjesës së Aleancës që merr pjesë në koalicionin qeverisës të udhëhequr nga VMRO-DPMNE.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter