Bankat dhe këmbimoret ankohen për mungesë të bankënotave prej 100 denarëve, Banka Popullore thotë se nuk ka mungesë

featured
Press Online
14 Maj 2026, 12:26

Edhe pse Banka Popullore siguron se në qarkullim ka mjaftueshëm bankënota prej 100 denarësh, qytetarët, bankat dhe këmbimoret po përballen me një realitet tjetër. Prej disa javësh, “njëqindëshet” po gjenden gjithnjë e më rrallë, ndërsa në përdorim më shpesh po hasen bankënota prej 200 denarësh dhe monedha prej 50 denarësh, informon PressOnline.al.

Problemi, sipas qytetarëve, më së shumti vërehet në pagesat e përditshme, në markete, në taksi dhe në dyqane të vogla, ku kthimi i kusurit është bërë më i vështirë. Në disa bankomate, po ashtu, prej një kohe nuk mund të tërhiqen bankënota prej 100 denarësh.

Punonjës të bankave thonë se mungesa ndihet tashmë më shumë se tri javë. Sipas tyre, klientët vazhdimisht kërkojnë apoenë më të vegjël, por në shumicën e rasteve bankat mund t’u ofrojnë vetëm bankënota prej 200 denarësh.

Gjendje e ngjashme paraqitet edhe në këmbimore. Nga disa këmbimore në Shkup thonë se është bërë pothuajse e pamundur të sigurohen sasi të mjaftueshme të bankënotave prej 100 denarësh. Sipas tyre, qytetarët i kërkojnë shpesh për pagesa të përditshme dhe për kusur, por në periudhën e fundit më së shumti qarkullojnë bankënota prej 200 denarësh dhe monedha prej 50 denarësh.

Pavarësisht këtyre ankesave, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut thotë se nuk bëhet fjalë për mungesë. Nga institucioni sqarojnë se, sipas të dhënave të tyre, në qarkullim janë rreth 20 milionë bankënota me vlerë prej 100 denarësh, sasi që, sipas tyre, është e mjaftueshme për funksionimin normal të qarkullimit të parasë së gatshme.

Nga Banka Popullore shtojnë se po bëhen përshtatje në shpërndarjen e apoenëve, me qëllim që të ulet presioni ndaj bankënotave të caktuara dhe të sigurohet përfaqësim më i barabartë i të gjitha vlerave në qarkullim.

Megjithatë, bankat dhe këmbimoret thonë se gjendja në terren nuk përputhet me këto sigurime. Sipas tyre, edhe nëse në sistem ka bankënota prej 100 denarësh, ato nuk po arrijnë në mënyrë të mjaftueshme deri te qytetarët dhe bizneset që kanë më së shumti nevojë për to.

Ndërkohë, Banka Popullore ka konfirmuar se është në proces furnizimi me 20 milionë bankënota të reja prej 100 denarësh. Sipas institucionit, kjo sasi duhet të sigurojë nevojat për këtë apoen për një periudhë prej tre deri në katër vjet.

Bankënotat e reja, megjithatë, nuk do të dalin menjëherë në qarkullim, por do të lëshohen gradualisht, kryesisht si zëvendësim për bankënotat e vjetra dhe të dëmtuara që duhet të tërhiqen nga përdorimi.

Derisa Banka Popullore këmbëngul se mungesë nuk ka, qytetarët dhe sektori financiar vazhdojnë të përballen me vështirësi për të siguruar njërin nga apoenët më të përdorur në pagesat e përditshme. Pyetja që mbetet është e thjeshtë: nëse në qarkullim ka 20 milionë “qindëshe”, pse ato po mungojnë në banka, këmbimore dhe te qytetarët?

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter