Rreth 18 minatorë të Trepçës vazhdojnë të jenë të bllokuar në minierë si pasojë e problemeve me furnizimin me energji elektrike. Dyshohet se kjo ka ndodhur për shkak të problemit me energji elektrike.
Lajmin e ka konfirmuar për Ekonomia Online drejtori i minierës në Stantërg, Shyqyri Sadiku, i cili ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnate.
Sipas tij, fillimisht në minierë kanë qenë rreth 50 minatorë, por shumica tashmë janë nxjerrë, ndërsa po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje alternative për nxjerrjen edhe të minatorëve të tjerë.
“Ka ndodhur rreth orës 1:30 të natës. Një pjesë, shumica kanë dalë. Nja 18 janë, po jemi gati me gjetë një zgjidhje alternative. Kanë qenë 50. Gjendja është e mirë dhe stabile. Besoj shumë shpejt jemi në fazën përfundimtare me kryer krejt dhe me i lëshu rrymat”, ka deklaruar Sadiku në një përgjigje me shkrim për EO.
Ndërkohë, ditë më parë përfaqësues të Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës kishin ngritur shqetësime për kushtet e vështira të punës në minierë, duke përmendur mungesën e investimeve, teknologjinë e vjetruar dhe problemet e vazhdueshme teknike.
Portali Dukagjini ka kontaktuar edhe zyrtarët e lartë të Trepçës lidhur me rastin dhe gjendjen e minatorëve, por deri më tani nuk ka pranuar ndonjë përgjigje, qoftë me shkrim apo përmes telefonatës.



