Minatorët e “Trepçës” kërkojnë paga më të larta dhe investime në ndërmarrje

featured
Press Online
13 Maj 2026, 14:16

Gani Osmani, anëtar i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, ka deklaruar se gjendja momentale në Trepçë nuk është e mirë, duke filluar nga kushtet e rënda të punës e deri te të drejtat e punëtorëve.

Sipas tij, minatorët punojnë në temperatura të larta, me lagështi të tepërt të ajrit, pluhur, gazra që lirohen nga kamionët me djegie të brendshme dhe përballen vazhdimisht me rreziqe të paparashikueshme që i ka miniera.

“Para disa viteve kemi pasur greva për marrjen e pagave, ndërsa kohëve të fundit ngritja e prodhimit ka ndodhur sipas planifikimeve. Megjithatë, paga e minatorit mbetet shumë e ulët dhe jo reale për punën dhe rrezikun që e bëjnë çdo ditë”, tha Osmani.

Ai shtoi se kërkesat për rritje page janë të vazhdueshme, pasi punëtorët po japin maksimumin në kushte të vështira dhe me rrezik për jetën dhe shëndetin.

Sipas Osmanit, teknologjia me të cilën punohet në Trepçë është mbi 50-vjeçare, ndërsa fuqia punëtore është kryesisht e vjetër, me punëtorë deri në moshën 65-vjeçare.

“Me këto kushte nuk mund të ketë rezultate më të mëdha. Prodhimi ka qenë 12 mijë tonë, ndërsa aktualisht është rreth 15 mijë tonë, që konsiderohet maksimumi që mund të arrihet”, deklaroi ai.

Ai gjithashtu theksoi se ka shumë defekte në makineri dhe se Trepça nuk është në gjendje të mirë ekonomike, duke pasur borxhe ndaj kooperantëve privatë dhe Trustit.

Miniera e Trepçës ka 11 horizonte dhe funksionon me katër ndërrime, ndërsa disa nga mjetet ngarkuese janë ende në përdorim që nga vitet 1980.

https://www.youtube.com/watch?v=wgXql2wzEis

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter