Po rikthen magjinë e Oscars! Conan O’Brien merr sërish drejtimin e ceremonisë?

featured
Press Online
13 Maj 2026, 13:58

Conan O’Brien do të rikthehet sërish në skenën më të madhe të Hollywood-it, pasi Akademia e Filmit ka konfirmuar zyrtarisht se komediani i njohur do të prezantojë ceremoninë e 99-të të Oscars, që do të mbahet më 14 mars 2027 në Dolby Theatre në Los Angeles.

Ky do të jetë viti i tretë radhazi për O’Brien në drejtimin e eventit prestigjioz, pas suksesit dhe reagimeve pozitive që mori në dy edicionet e fundit. Rikthimi i tij po shihet si një lëvizje strategjike nga Akademia, pasi ceremonia ka rifituar vëmendje të madhe në publik dhe rrjetet sociale falë stilit të tij ironik dhe energjik.

Gjatë Oscars-it të fundit, Conan u bë viral me batutën ku tha me humor se ishte “prezantuesi i fundit njerëzor i Oscars”, duke shkaktuar reagime dhe meme të shumta në internet.

Bashkë me të do të rikthehen edhe producentët ekzekutivë Raj Kapoor dhe Katy Mullan, të cilët do të kujdesen sërish për realizimin e spektaklit.

Drejtuesit e Akademisë kanë vlerësuar publikisht punën e ekipit, duke theksuar se O’Brien ka sjellë një frymë të re dhe më moderne në ceremoninë më të rëndësishme të kinemasë.

Sipas mediave amerikane, audienca e Oscars ka njohur rritje që prej momentit kur Conan mori rolin e moderatorit. Ceremonia e tij e parë arriti afro 19.7 milionë shikues, ndërsa edicionet e fundit kanë pasur angazhim të lartë edhe në rrjetet sociale.

Ndërkohë, raportime të fundit sugjerojnë se nga viti 2029 ceremonia mund të ndryshojë platformën e transmetimit dhe madje edhe lokacionin në Los Angeles.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter