Hoti: Më 7 qershor qytetarët e Kosovës vendosin për partneritetin euro-atlantik

featured
12 Maj 2026, 12:23

Ish deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se më 7 qershor qytetarët do të vendosin për partneritetin euro-atlantik.

Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Marrëveshja e Uashingtonit janë kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Të dyja këto marrëveshje janë nënshkruar në qeveritë e udhëhequra nga LDK-ja, sigurisht me mbështetje të fuqishme të partnerëve të koalicionit me të cilët LDK-ja ka bashkëpunuar në Qeveri në interes të shtetit të Kosovës. E gjithë LDK-ja është krenare për këto arritje që ia kemi siguruar shtetit të Kosovës së bashku me partnerët e koalicionit me të cilët kemi qeverisur. Unë jam tepër krenar që kam pasur mundësi të kontribuoj në arritjen e njërës prej këtyre marrëveshjeve historike për Kosovën”, ka shkruar Hoti.

Ai tha se ky partneritet nuk është vetëm përcaktim ekonomik dhe politik i Kosovës, është ekzistencial për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve.

“Më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do të votojnë PËR partneritetin strategjik të Kosovës me BE dhe SHBA. Ky partneritet nuk është vetëm përcaktim ekonomik dhe politik i Kosovës, është ekzistencial për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.

Për më shumë shumë lexoni të plotë positmin e Hotit:

Pas shpalljes së pavarësisë më 2008, qeveritë e njëpasnjëshme kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim dhe partneritet strategjik të Kosovës me aleatët perëndimorë. Në këto marrëveshje hyjnë partneritetet bilaterale, anëtarësimet në organizata ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN, dhe marrëveshjet e borxhit shtetëror për projekte strategjike etj.

Në mesin e këtyre marrëveshjeve, dy janë kryesoret, që mund të konsiderohen marrëveshje historike pasi e kanë përcaktuar partneritetin afatgjatë të Kosovës me aleatët euro-atlantikë, e para me BE-në dhe e dyta me SHBA-në.

1. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e nënshkruar në Qeverinë Mustafa, e cila e përcakton rrugën për integrim të Kosovës në BE. Bashkë me këtë marrëveshje vjen edhe mbështetja e madhe financiare e BE-së, e cila ka për qëllim t’i ndihmojë Kosovës për plotësimin e kushteve për anëtarësim, ashtu që kur të hapen kapitujt e anëtarësimit Kosova të jetë e gatshme. Vit pas viti, Qeveria e Kosovës e miraton Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, i cili diskutohet me Komisionin Evropian dhe mbikëqyret nga Komisioni Parlamentar BE-Kosovë si trupë mbikëqyrëse, i përbërë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të Parlamentit Evropian.

2. Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar në Qeverinë Hoti, e cila përmban elemente tepër të rëndësishme të partneritetit të Kosovës me SHBA-në, si dhe aspekte të fuqishme që e fuqizojnë pozitën e Kosovës në rajon dhe më gjerë. Këtu përfshihen para së gjithash projektet e mëdha infrastrukturore, si projekti i gazit amerikan, i hekurudhës Prishtinë-Durrës, i portit të thatë në Prishtinë, i ndërlidhjes së Kosovës me rrjetin e autostradave rajonale, i qasjes së Kosovës në tregjet financiare amerikane, mbrojtja e investimeve amerikane dhe çështje të tjera strategjike.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter