Shefeja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas shprehu sot skepticizëm në lidhje me propozimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të emëruar ish-kancelarin gjerman Gerhard Schroeder si ndërmjetës në luftën në Ukrainë.
“Gerhard Schroeder ka qenë një lobist i nivelit të lartë për ndërmarrjet shtetërore ruse, kështu që është e qartë pse Putini e dëshiron atë”, tha ajo.
“Nuk do të ishte shumë e mençur t’i jepej Rusisë të drejtën për të emëruar një negociator në emrin tonë”, vazhdoi ajo.
Kur u pyet të shtunën në lidhje me kandidatin e tij të preferuar për të rifilluar dialogun me evropianët, Vladimir Putin u përgjigj se ai personalisht preferonte Gerhard Schroederin.
Në pushtet nga viti 1998 deri në vitin 2005, ky socialdemokrat 82-vjeçar ka mbetur një mbështetës i vendosur i udhëheqësit të Kremlinit për dy dekada.
Refuzimi i tij për të dënuar pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022 i solli atij kritika të ashpra brenda SPD-së, partnerit të vogël në koalicionin e kancelarit Friedrich Merz.
Kur u pyet më gjerësisht për gatishmërinë e BE-së për t’u angazhuar drejtpërdrejt me Vladimir Putinin, Kaja Kallas ishte shumë e kujdesshme.
“Para se të diskutojmë me Rusinë, duhet të diskutojmë mes nesh se për çfarë duam të flasim me ta”, deklaroi ajo.



