Mund të luajmë një rol konstruktiv përmes forcimit të interkoneksioneve tona dhe integrimit në një rrjet më të zhvilluar të gazit natyror në Evropën Juglindore, thotë ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në një intervistë për portalin grek energjetik “Energygame”, duke shtuar se “kontributi ynë i drejtpërdrejtë është promovimi i projekteve që na lidhin më mirë me Greqinë dhe Serbinë”, të cilat sipas saj mund të kontribuojnë që “vendi të pozicionohet si pjesë aktive e rrjedhave rajonale energjetike”.
Ministrja shpjegon se përfitimet konkrete janë të qarta: siguri më e madhe në furnizim, më shumë konkurrencë, qasje më të mirë tek burimet alternative të furnizimit, kushte më të forta për industrinë dhe një ambient më tërheqës investues, ndërsa në aspektin strategjik “forcohet edhe roli ynë si partner i besueshëm në agjendën evropiane për diversifikim energjetik”.
Pikërisht diversifikimin si kusht për sigurinë energjetike ajo e përmendi si prioritetin kryesor për vendin tonë, duke theksuar se për një sistem të vogël energjetik që varet nga importi, “diversifikimi është çështje e qëndrueshmërisë, konkurrueshmërisë dhe sigurisë kombëtare”, veçanërisht pas zhvillimeve vijuese gjeopolitike në Evropë.
– Për vendin tonë, kjo përkthehet në tre prioritete praktike. Së pari, duhet të sigurojmë qasje në burime dhe rrugë të ndryshme për gazin natyror dhe produktet e naftës. Së dyti, duhet të forcojmë rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike dhe bashkëpunimit ndërkufitar, sepse asnjë vend në Evropën Juglindore nuk mund ta ndërtojë i vetëm sigurinë energjetike. Së treti, duhet të përshpejtojmë prodhimin vendor nga burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe modernizimin e rrjeteve, në mënyrë që tranzicioni i gjelbër të bëhet edhe politikë sigurie, shpjegoi Bozhinovska.
Ajo shtoi se sigurinë energjetike dhe tranzicionin e gjelbër “nuk i shohim si prioritete kundërthënëse”, por përkundrazi, tranzicioni i suksesshëm duhet të jetë i sigurt, ekonomikisht i përballueshëm dhe socialisht i qëndrueshëm.
Ajo iu referua edhe Planit të ri Kombëtar për Energji dhe Klimë, për të cilin tha se është veçanërisht i rëndësishëm, sepse vendos një kornizë të
strukturuar për rritjen e investimeve në energjinë diellore, të erës dhe hidroenergjinë, përmirësimin e efikasitetit energjetik, si dhe zvogëlimin gradual të varësisë nga thëngjilli, duke theksuar se “qasja është pragmatike: nuk ka tranzicion të gjelbër pa siguri dhe nuk ka siguri afatgjate pa diversifikim dhe dekarbonizim”.
Paralelisht, për instrumentet financiare të BE-së ajo theksoi se janë me rëndësi kyçe, por edhe se “rajoni ka nevojë për mbështetje më të shpejtë, më të parashikueshme dhe më fleksibile për infrastrukturat strategjike energjetike”.
– Për rajonin, prioriteti është i qartë: financimi i infrastrukturave që lidhin tregjet, mbështesin integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe forcojnë sigurinë energjetike. Kjo nënkupton ndërlidhje elektroenergjetike, rrugë për diversifikimin e gazit natyror, modernizim të rrjeteve, ruajtje të energjisë, efikasitet energjetik dhe projekte për tranzicion të justifikueshëm. Ballkani Perëndimor duhet të bëhet pjesë e zgjidhjes energjetike të Evropës, theksoi ministrja.
Sa i përket produktsjellësit Selanik – Shkup, i cili u riaktivizua pas një pauze 13-vjeçare, ajo shpjegoi se në mjedisin e sotëm gjeopolitik çdo rrugë shtesë funksionale e forcon qëndrueshmërinë, e zvogëlon varësinë nga transporti rrugor, e përmirëson parashikueshmërinë e zinxhirit të furnizimit dhe kontribuon për furnizim më të sigurt me karburante.
– Për vendin tonë, tubacioni i naftës e forcon sigurinë në furnizimin me produkte të naftës dhe mbështet procese më efikase të importit. Për Greqinë, e forcon rolin e Selanikut dhe të infrastrukturave greke si qendër rajonale energjetike dhe logjistike. Për Evropën Juglindore në tërësi, rëndësia strategjike është më e gjerë: tregon se infrastrukturat ekzistuese mund të riaktivizohen dhe modernizohen për t’iu përgjigjur nevojave bashkëkohore për siguri energjetike. Nuk bëhet fjalë vetëm për projekt bilateral. Ai përfshihet në logjikën më të gjerë të qëndrueshmërisë rajonale, ku naftësjellësit, portet, terminalet LNG, linjat elektroenergjetike dhe interkoneksionet e gazit krijojnë një sistem energjetik më stabil dhe më fleksibil, theksoi ministrja.
Lidhur me pengesat kryesore për përshpejtimin e lidhjeve energjetike në Ballkanin Perëndimor, ajo shpjegoi se ato janë teknike, por edhe rregulluese, financiare dhe institucionale, ndërsa për tregjet rajonale
theksoi se janë me rëndësi kyçe, sepse “tregjet e vogla kombëtare janë më të ekspozuara ndaj paqëndrueshmërisë, likuiditetit të kufizuar dhe çrregullimeve në furnizim”, ndërsa përmes lidhshmërisë “energjia elektrike dhe gazi natyror mund të drejtohen më me efikasitet aty ku ka nevojë”, me ç’rast forcohet konkurrenca dhe çmimet formohen në një ambient më transparent dhe më fluid.



