10
Pas plot 15 vitesh nga suksesi i jashtëzakonshëm i serialit “Sulejmani i Madhërishëm”, dy prej emrave më të dashur të ekranit turk, Halit Ergenç dhe Meryem Uzerli, janë rikthyer sërish së bashku në një projekt të ri kinematografik që ka ngjallur vëmendje të madhe ndërkombëtare.
Filmi i ri titullohet “Imrozda Bahar” (Pranverë në Imroz) dhe është nën regjinë e Özcan Alper. Në këtë produksion madhor, dy aktorët marrin sërish rolet kryesore, duke rikthyer në ekran bashkëpunimin e tyre të dikurshëm dhe kiminë që i bëri një prej dysheve më të njohura të televizionit turk.
Halit Ergenç, i pyetur nga mediat turke për këtë ribashkim, u shpreh shkurt por me entuziazëm: “Ishte vërtet shumë bukur të punoja sërish me Meryem-in…”.
Ky rikthim ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat e tyre e kanë cilësuar projektin si një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinemasë për vitin 2026. Dyshja, e identifikuar për rolet ikonike të Sulltan Sulejmanit dhe Hyrremit, vazhdon të shihet si një “garanci suksesi” për çdo produksion ku marrin pjesë.
Ndërkohë, më shumë detaje rreth historisë së filmit dhe datës së premierës pritet të bëhen publike gjatë ditëve në vijim në programet e kronikës rozë në Turqi.



