Kurti për zgjedhjet e 7 qershorit: Sa herë na kanë vënë diga është rritur prurja

featured
Press Online
07 Maj 2026, 14:59

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk ka situatë të re por vetëm zgjedhje të përsëritura.

Kështu janë pritjet e tij për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, ku mes tjerash tha se “sa herë na kanë vënë diga është rritur prurja”.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha para mediave të enjten se 7 qershori do të tejkalojë rezultatin e 28 dhjetorit.

“Data është caktuar 7 qershor dhe kjo ka imponuar që deri më datën 12 maj ne t’i dorëzojmë listat e kandidatëve tanë për deputetë, pra i kemi edhe pesë ditë. Do të kemi mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, do të kemi me siguri edhe nja dy mbledhje të kryesisë së LVV-së, deri atëherë unë nuk mund të flas konkretisht për emra, por ajo që e di është që ne jemi duke zbatuar programin dhe zotimet tona me të cilat i kemi fituar zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe 28 dhjetori nuk ishte para 5 viteve, por ishte, sa i bie, katër muajsh. Rrjedhimisht nuk mund të themi që kemi një situatë krejtësisht të re, kemi zgjedhje të përsëritura që nuk ka qenë e thënë që të mbahen, mirëpo meqë bojkoti opozita, meqë nuk dëshironte të ishte as minimalisht konstruktive ja po shkojmë edhe një herë drejt 7 qershorit për ta përsëritur e tejkaluar 28 dhjetorin”, deklaroi ai.

Teksa foli për bashkëpunimin mes ish-presidentes Vjosa Osmani dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku në këto zgjedhje, ai tha se “njerëzit kanë dëshira, por nuk duhet të ngatërrohen dëshirat me fakte”.
Sa i përket rezultatit që pret të dielën e 7 qershorit, Kurti tha se “sa herë na kanë vënë diga është rritur prurja”.

“Besoj që qytetarët e Republikës e kanë kuptuar që çdo herë kur përpiqesh të ja vësh digën një rrjedhe socio-historike e politike qysh është Lëvizja Vetëvendosje, atëherë do të ketë gjithnjë e më shumë prurje. Sa herë na kanë vënë diga është rritur prurja. E tash bash saktësisht sa do të jetë, do ta marrim vesh në mbrëmjen e 7 qershorit”, përfundoi Kurti.

Këto deklarime ai i bëri gjatë nisjes së punimeve për rikonstruktimin e rrugës Kijevë-Malishevë.

Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor si pasojë e dështimit për ta zgjedhur presidentin e ri deri më 28 prill, që ishte afati i fundit kushtetues për ta bërë këtë gjë. Votimet e së dielës së parë te qershorit janë të tretat në nivel nacional, prej shkurtit 2025.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter