Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, iu ka bërë thirrje diasporës që të regjistrohen për të votuar nga jashtë Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Ajo, përmes një video-adresimi, tha se qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës duhet të bëhen pjesë e vendimmarrjes në vend.
Haxhiu iu bën thirrje diasporës që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Regjistrohuni për të votuar. Ju keni qenë pranë Kosovës edhe kur kufijtë, dhuna dhe largësia janë munduar që t’iu mbajnë larg. Keni punuar dhe sakrifikuar për ta ndihmuar atdheun tonë. Keni qenë zëri i Kosovës kudo në botë dhe vazhdoni kontributin për Republikën e Kosovës. Bëhuni pjesë e vendimmarrjes”, tha ajo.
Nga sot, 6 maji, është hapur afati për të aplikuar për regjistrim qytetarët që synojnë të votojnë nga jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Ky afat do të zgjasë deri më 17 maj. /KosovaPress/



