Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë dhe pavarësisë energjetike, përmes një marrëveshjeje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm natyror.
Në rubrikën “Shënimet e Javës”, përmes një videoje të publikuar nga Berlini, Rama bëri të ditur se marrëveshja është realizuar në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke garantuar furnizimin e Shqipërisë me gaz të lëngshëm amerikan për një periudhë 20-vjeçare.
Sipas tij, investimi për transformimin e TEC-it të Vlorës, i ndërtuar fillimisht për të funksionuar me naftë, do të mundësojë kalimin e tij në përdorimin e gazit natyror, duke rritur ndjeshëm efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e prodhimit të energjisë elektrike në vend.
Kryeministri theksoi se ky zhvillim krijon një bazë të fortë për diversifikimin e burimeve energjetike dhe për forcimin e sovranitetit energjetik të Shqipërisë, ndërsa pritet të nxisë edhe rritjen e investimeve të reja në sektor.
Ai nënvizoi gjithashtu se rritja e kapaciteteve energjetike do të mbështesë zhvillimin e teknologjive të avancuara, përfshirë qendrat e të dhënave dhe programet e inteligjencës artificiale, që pritet të kenë rol kyç në dekadën e ardhshme.
Në këtë kuadër, Rama theksoi se, “Vlora pritet të shndërrohet në një nyje të rëndësishme energjetike rajonale, jo vetëm për prodhimin, por edhe për shpërndarjen dhe eksportin e gazit natyror përmes Trans Adriatic Pipeline (TAP).
Rama nënvizoi se, pjesë e marrëveshjes është edhe investimi për lidhjen me tubacion të Vlorës me Fieri, ku kalon ky gazsjellës.



