Një betejë e fortë ligjore ka shpërthyer në industrinë e modës, pasi një dizajnere nga New Yorku ka paditur Skims, markën e themeluar nga Kim Kardashian, për përdorim të padrejtë të një emri tregtar.
Sipas padisë së dorëzuar në Gjykatën Federale në New York, biznesi i vogël “Fits Everybody To A T”, në pronësi të Denise Cesare, pretendon se kompania miliardere ka kopjuar emërtimin për koleksionin e saj shumë të njohur “Fits Everybody”.
Cesare thotë se ajo e përdorte këtë emër prej vitesh, shumë kohë para krijimit të Skims, dhe se e ndërtoi markën e saj nga zeroja.
Në dokumentet ligjore thuhet se Skims vazhdoi me lançimin e linjës edhe pse ishte paralajmëruar disa herë për shkelje të mundshme të markës tregtare.
Madje, koleksioni në fjalë është kthyer në një nga më fitimprurësit për kompaninë, duke gjeneruar qindra miliona të ardhura.
Avokatët e dizenjatores e cilësojnë rastin si një shembull të “konfuzionit të kundërt”, ku një kompani shumë e madhe dominon tregun me një emër të ngjashëm dhe lë në hije biznesin më të vogël që e ka përdorur më herët.
Nga ana tjetër, përpjekjet e Skims për të regjistruar zyrtarisht markën “Fits Everybody” janë refuzuar nga autoritetet amerikane, pikërisht për shkak të rrezikut të konfuzionit te konsumatorët.
Dizajnerja 61-vjeçare kërkon dëmshpërblim financiar, ndalimin e përdorimit të emrit dhe dorëzimin e fitimeve të realizuara nga kjo linjë.
Nëse gjykata vendos në favor të saj, Skims mund të përballet me humbje të mëdha financiare dhe të detyrohet të heqë dorë nga një prej produkteve më të suksesshme të kompanisë.



