Seancën për zgjedhjen e presidentit të ri, Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë në orën 14:00.
Fillimisht, duhej të niste sot në orën 10:00, por kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e shtyu, me arsyetimin se dëshiron t’i japë kohë opozitës për të marrë pjesë.
E ftoj opozitën sërish që të vijë në seancën për zgjedhjen e presidentit, pra në këtë seancë të jashtëzakonshme që e kemi nisur dje, tha Haxhiu pasi lexoi disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, opinione të Komisionit të Venecias dhe raporte të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës mbi detyrimin e deputetëve për të qenë të pranishëm në sallë.
Deputetët e partive opozitare nuk hynë fare në seancën, suksesi i së cilës varet nga pjesëmarrja që të arrihet kuorumi i nevojshëm prej të paktën 80 deputetësh.
Ata bojkotuan edhe seancën djeshme, ku Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti propozoi dy kandidate për presidente: Feride Rushitin e Hatixhe Hoxhën.
Ndonëse pa kuorumin e nevojshëm, votimi u zhvillua dhe Feride Rushiti mori 63 vota në raundin e parë, ndërsa Hoxha, asnjë. Një votë rezultoi e pavlefshme.
Kurti ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të opozitës, në përpjekje për të arritur marrëveshje për çështjen e pasuesit apo pasueses së Vjosa Osmanit, por pa sukses.
Opozita i ka cilësuar si joserioze e të papranueshme ofertat e Kurtit, si për pjesëmarrje në qeveri, ashtu edhe për postin e kryeparlamentarit duke iu përgjigjur me bojkotim.



