Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se BE-ja ka pezulluar të gjitha financimet për Serbinë, për shkak të regresit të konstatuar në sistemin gjyqësor dhe orientimit gjeopolitik të vendit.
Kos theksoi se Serbia ka qenë kandidate për anëtarësim në BE për më shumë se një dekadë, por ka shfaqur prapambetje në fusha kyçe si demokracia, liria e fjalës dhe pavarësia e shtypit.
Sot, Serbia është shumë e polarizuar. Ajo ka qenë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian për më shumë se 10 vjet. Fatkeqësisht, ne e kemi parë atë të bëj regres, veçanërisht kur bëhet fjalë për vlerat si ligjet, demokracia, liria e fjalës dhe, veçanërisht, liria e shtypit. Ka një të ardhme për Serbinë në Bashkimin Evropian, por kursi duhet të kthehet ose të shprehet më fort në veprimet e politikanëve.
Zyrtarja e lartë nënvizoi se një nga problemet kryesore është orientimi gjeopolitik i Serbisë, duke theksuar se një vend kandidat duhet të përputhet 100% me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, citojnë mediat serbe.
Kos konfirmoi se pagesat në kuadër të “Planit të Rritjes” janë pezulluar derisa Serbia të korrigjojë problemet në gjyqësor.
Ne kemi një rregull, që një vend që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së duhet të përputhet 100% me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Kjo do të thotë, nuk mund të uleni në dy karrige.
Në një moment, Serbia do të duhet të vendosë se çfarë është më e rëndësishme për zhvillim të mëtejshëm. Për momentin, ne kemi pezulluar të gjitha pagesat për Serbinë në kuadër të planit zhvillimor, sepse përsëri vërejmë regresin në sistemin gjyqësor.
Derisa kjo të korrigjohet, vendi nuk do të jetë në gjendje të marrë mbështetje financiare nga BE.



