Fondacioni jofitimprurës Chan Zuckerberg Biohub, i mbështetur nga Mark Zuckerberg dhe Priscilla Chan, ka shpallur një investim prej 500 milionë dollarësh për të zhvilluar modele të avancuara të Inteligjencës Artificiale, që simulojnë funksionimin e trupit të njeriut. Sipas drejtuesve të projektit, objektivi është ndërtimi i modeleve biologjike shumë më të sakta, të afta të parashikojnë sjelljen e qelizave dhe mekanizmat e sëmundjeve, një hap që mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si kuptohet dhe trajtohet shëndeti njerëzor.
Nisma bazohet në idenë se sa më shumë të dhëna biologjike dhe fuqi llogaritëse të ketë një model AI, aq më të sakta bëhen parashikimet e tij. Drejtori i Biohub, Alex Rives, tha se ekziston një rrugë reale për të ndërtuar modele parashikuese të sakta të qelizës njerëzore. “Ka një rrugë për të ndërtuar modele parashikuese të sakta të qelizës”, tha ai, duke theksuar se sfida kryesore është zgjerimi masiv i të dhënave biologjike.
Aktualisht, shumica e databazave biologjike përfshijnë rreth 1 miliard qeliza, ndërsa Biohub synon të shkojë të paktën dhjetë herë më tej, duke krijuar një bazë të dhënash shumë më të madhe për trajnim të modeleve. Nga fondi total prej 500 milionë dollarësh, 400 milionë do të përdoren për kërkimet dhe zhvillimin e brendshëm të Biohub, ndërsa 100 milionë do të shkojnë për të mbështetur institucione të tjera kërkimore dhe partnerë të jashtëm.
Mes partnerëve të projektit janë gjiganti teknologjik NVIDIA, Instituti Allen, Human Cell Atlas dhe Human Protein Atlas. Ky investim shkon përtej përdorimit aktual të AI-së në zbulimin e barnave dhe synon krijimin e një “binjaku digjital” të biologjisë njerëzore, që mund të përdoret për të simuluar sëmundje, testuar trajtime dhe parashikuar reagimet biologjike përpara se të provohen te pacientët.



